E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas amnistisë, “gjoba” për drejtuesit

27/03/2009  Drejtoria e Shërbimit Rrugor: Vetëm 10 mijë persona janë interesuar deri tani

Edhe 10 ditë afat për pagesën e detyrimeve të prapambetura të mjeteve

Nëse keni detyrime të prapambetura të automjetit tuaj dhe nuk i paguani edhe për 10 ditë, atëherë do të penalizoheni. Asnjëherë nuk mund të shmangen këto detyrime, që lidhen me mospagesën e taksës vjetore të qarkullimit rrugor apo taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve. Përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimit Rrugor bëjnë të ditur se penalizimet pas kësaj periudhe do të jenë si në shërbimet e ndryshme që ofron kjo drejtori, ashtu edhe me detyrimin për të paguar një më një të gjithë shumën e detyrueshme, pra principalin dhe gjobat.

Interesimi

Të gjithë personat që nuk kanë përfituar nga amnistia fiskale do të kenë mundësi deri në 7 prill që të paguajnë vetëm pagesën kryesore, pa gjoba dhe kamatëvonesa. Këto detyrime do të falen edhe pse janë të grumbulluara ndër vite. Por aktualisht interesimi ka qenë shumë i ulët nga qytetarët. Sipas të dhënave të kësaj drejtorie, mendohet që të jenë rreth 90 mijë mjete motorike me detyrime të prapambetura. Deri më tani janë afruar vetëm rreth 10 mijë persona për të paguar detyrimet. “Nëse qytetarët nuk paraqiten pranë drejtorive rajonale për të bërë çregjistrimin e një mjeti që nuk e kanë në përdorim për pagesat e taksave për vitin 2008 dhe 2009 qytetarët do të jenë debitorë ndaj shtetit, për të bërë një targim mjeti apo një shërbim tjetër që u duhet në bazë të të dhënave tona ne do të verifikojmë nëse qytetari ka mjet ose jo dhe ai është i detyruar që të paguajë të gjitha detyrimet ndaj shtetit për pesë vitet e fundit”, - shprehen përfaqësues pranë Drejtorisë së përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.

Falja

Me një kërkesë të thjeshtë të gjithë personat që janë debitorë mund të shmangin pagesën e taksave të prapambetura për mjetet. Nga amnistia nuk kanë përfituar shumë persona, edhe pse ajo ka nisur që prej muajit tetor të vitit të kaluar. Si shkak ekspertët e Drejtorisë së përgjithshme të Shërbimit Rrugor përmendin neglizhencën. Ky ligj i amnistisë bën përfitues edhe ata persona që mjetet e tyre i kanë nxjerrë jashtë përdorimit. “Amnistia për mjetet që janë në qarkullim ka të bëjë me të gjithë ato mjete që nuk kanë paguar taksat vitet e fundit dhe që sipas amnistisë ato duhet të paguajnë taksat vetëm për vitet 2008 dhe 2009 dhe të hyjnë në qarkullim. Ndërsa për mjetet që nuk janë në qarkullim qytetarët do të paraqiten pranë drejtorive rajonale dhe të deklarojnë për shkatërrimin ose lënien jashtë përdorimit të mjetit”, - thanë burimet pranë Drejtorisë së Shërbimit Rrugor. Ligji i amnistisë fiskale përfshin edhe faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, si dhe gjobave e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›