INSTAT, në 2008 prodhimi i energjisë u rrit me 30 për qind
Burimet e energjisë elektrike në vitin 2008 u rritën 12.4 për qind, krahasuar me vitin 2007. Sipas të dhënave të INSTAT në 2008, sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 6.608 GWh. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit ndjeshëm me 30.6 për qind, krahasuar me vitin 2007. Sasia totale e prodhuar është 3.849 GWh dhe përbën 58 për qind të burimeve gjithsej të energjisë. Në vitin 2008 burimi i vetëm i prodhimit të energjisë elektrike ishte prodhimi në hidrocentrale. Rritja e konsiderueshme në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-ve, me 34.3 për qind krahasuar me vitin 2007 ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e prodhimit total të energjisë. Rritje të ndjeshme pati dhe prodhimi i energjisë nga impiantet private e me koncesion me 12.9 për qind krahasuar me vitin 2007, e cila përbën 1.6 për qind të prodhimit në vend. Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike pati një ulje prej 5.9 për qind krahasuar me vitin 2007. Në vitin 2008, sasia e importuar (përfshirë këmbimet), arriti vlerën 2.758 GWh nga 2.934 GWh në vitin 2007. Ajo përbën 41.7 për qind të sasisë së burimeve gjithsej në vitin 2008 nga 49.9 për qind në vitin 2007. Sasia e eksportuar (përfshirë këmbimet) në vitin 2008 është rritur me 175.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Ajo zë 4.4 për qind të sasisë së disponuar për përdorimin gjithsej. Humbjet në rrjet janë rritur 2.6 për qind në krahasim me vitin 2007. Sasia e humbjeve totale është 2.139 GWh. Ato përbëjnë 32.4 për qind të sasisë së energjisë disponibël për përdorim. Humbjet në shpërndarje janë rritur 2.9 për qind. Ato vazhdojnë të zënë pjesën më të rëndësishme të humbjeve në rrjet me 90 për qind. Përdorimi nga konsumatorët në vitin 2008 është rritur 14.1 për qind krahasuar me vitin 2007. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 4.156 GWh dhe përbën 62.9 për qind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur 9.9 për qind. Ky sektor ka konsumuar 54.9 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum final. Sasia e energjisë elektrike të konsumuar nga përdoruesit e tjerë është rritur 19.7 për qind krahasuar me vitin 2007.