AMC kallëzohet tek Autoriteti i Konkurrencës
Abissnet-i kërkon nisjen e hetimit për abuzimet e AMC-së me pozitën dominuese në treg dhe shkeljen e Kushtetutës
TIRANË- Kompania Abissnet, ka denoncuar dje në Autoritetin e Konkurrencës, bllokimin e paligjshëm dhe prishjen e njëanshme të kontratës së bërë nga kompania AMC.
Me anë të një letre të drejtuar Kryetares së këtij institucioni, Abissnet-i i kërkon që të verifikojë pozitën e AMC-së në këtë rast, pasi po shkelet hapur ligji i konkurrencës. Abissnet-i ka marrë licencë për krijimin e një rrjeti telefonie fikse, por për të bërë këtë gjë i duhet marrëveshja e interkonjeksionit me operatorët e tjerë në treg, si AMC, Vodafone dhe Albtelecom.
Kërkesat e Abissnet-it për të lidhur marrëveshjet, kanë gjetur fillimisht pengesën e Albtelecom-it, që për nëntë muaj ka zvarritur procesin. Në nëntor 2008 u nënshkruan marrëveshjet me AMC-në dhe Vodafone-in, por këto marrëveshje nuk sigurojnë interkonjeksion të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet Albtelecom-it. Ky veprim kryhet që këto dy kompani të mos humbin pozicionin e liderit kundrejt operatorëve të tjerë të mundshëm.
Në denoncimin e Abissnet-it, thuhet se marrëveshja me AMC-në është prishur në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë njoftim, më datë dy shkurt 2009. Fillimisht, AMC-ja nuk e pranoi këtë gjë, por u shfajësua duke thënë se problemi ishte në Albtelecom. Verifikimi tregoi të kundërtën dhe tri ditë më pas, AMC-ja u ankua për trafikun që bëhej nga Abissnet-i.
Por, kjo rezultoi e pavërtetë, pasi Abissnet-i nuk mund të kryente asnjë trafik prej datës dy shkurt, pra tri ditë përpara dërgimit të shkresës. Sipas Abissnet-it, kjo ndërprerje është një shkelje e hapur e kontratës mes dy palëve dhe duhet të aplikohen masat përkatëse.
"AMC-ja ka ndërprerë shërbimin e interkonjeksionit në mënyrë abuzive, pa na njoftuar paraprakisht, siç parashikohet në kontratë. Nëpërmjet shkresave i jemi drejtuar AMC-së, duke i vënë në dukje paligjshmërinë e veprimeve të saj dhe vetëm më datë 18 mars, kjo kompani ka pranuar në mënyrë të pavërtetë zbatimin e marrëveshjes",- thuhet në letrën e Abissnet-it.
Kjo kompani po i drejtohet Autoritetit të Konkurrencës, me pretendimin se ndërprerja e shërbimit të interkonjeksionit nga AMC-ja, është në kundërshtim me rregullat e konkurrencës dhe veprimtarisë së lirë ekonomike.
"Veprimi i AMC-së është diskriminues dhe i bërë enkas, që Abissnet-i të qëndrojë jashtë tregut të telefonisë. Ky veprim bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe disa prej ligjeve të vendit",- thuhet në ankesën e Abissnet-it.
Një tjetër shkelje e AMC-së, është fakti që nuk pranon të bëjë marrëveshje pa shërbim transit me Albtelecom-in. Kjo për faktin që ligji i ka detajuar të gjitha detyrimet e kësaj kompanie kundrejt operatorëve të tjerë në treg.
"AMC-ja po shfrytëzon pozitën dominuese në treg, duke cenuar të drejtën kushtetuese për lirinë e veprimtarisë ekonomike, konkurrencën e ndershme dhe efektive. Për këtë arsye, kërkojmë fillimin e menjëhershëm të procedurës së hetimit paraprak për abuzim me pozitën dominuese nga AMC-ja",- thuhet në kërkesën e Abissnet-it.