E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Shqipëria ka rritur besueshmërinë për investitorët



Nëse investitorët e huaj janë në dilemë se ku duhet t’i investojnë kapitalet e tyre, për sa u përket vendeve të rajonit, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, iu ka hequr këtë mëdyshje. Ai i ka ftuar ata të investojnë në Shqipëri, pasi reformat e kryera e kanë bërë vendin tonë shumë më të besueshëm. Duke përfituar nga pjesëmarrja në Forumin Ekonomik të Crans Montana-s të shumë investitorëve të huaj, ministri Ruli, për të treguar rritjen e besueshmërisë tek investitorët e huaj, u ka bërë me dije atyre se në vitin 2008 investimet e huaja janë rritur me 60 për qind në vendin tonë. Ministri Ruli theksoi se ekonomia shqiptare është më pak e prekura nga kriza globale për shkak të reformave. “Vlera e investimeve në 2008 arriti një rekord prej 600 milionë eurosh dhe kjo falë reformave strukturore të qeverisë në këto tre vjet, që e bënë vendin të besueshëm. Tashmë Shqipëria është kthyer në një vend të besueshëm për investimet e huaj”, - theksoi dje ministri Ruli. Ministri i METE-s theksoi dje se ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2008, kur shumë vende shënuan rekordet më të hidhura në bilancet e tyre, me një ritëm rritjeje ekonomike mbi 6 % dhe inflacion 3 %. Në raportin e Bankës Botërore për vitin 2007-2008, - tha Ruli, - Shqipëria u klasifikua si vendi i dytë për nga shpejtësia dhe cilësia e reformave të ndërmarra për klimën e biznesit. Ruli tha dje se Shqipëria është tashmë padyshim vendi me taksat më të ulëta në Evropë, dhe se në drejtim të legjislacionit janë bërë përmirësime të ndjeshme, duke sjellë ato garanci rregullatore, institucionale dhe ligjore, për të cilat investitorët kanë nevojë. Në këtë drejtim, ai veçoi ligjin "Për shoqëritë tregtare", që sipas tij, jep një mbrojtje të standardeve më të larta lidhur me interesat e investitorëve dhe aksionarëve. Për sa i përket reformës rregullatore, Ruli u ndal në krijimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, ku tashmë, sipas tij, biznesi mund të regjistrohet brenda një ore, për vetëm një euro. Si arritje, ministri Ruli veçoi edhe krijimin e Qendrës Kombëtare të Licencimit, që do të nisë nga puna në muajin maj dhe që ai e konsideroi një "revolucion", pasi konsiston në krijimin e një sporteli të vetëm për lejet dhe licencat. Për sa i përket sektorit energjetik, Ruli tha se prioritet i qeverisë është krijimi i një tregu energjetik dhe futja e tij në një proces të liberalizimit dhe hapjes, por edhe integrimi në tregun rajonal energjetik. Ruli, procesin e privatizimit të sektorëve strategjik, e konsideroi një kapitull të mbyllur për Shqipërinë, pasi tashmë rezulton si vendi me ekonominë më të privatizuar në rajon, duke u bërë një shtet i tërhequr nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë si agjent komercial në sektorin privat.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›