“Zgjidhja e ngërçit politik, parathënia e axhendës së të dërguarve evropianë”

Mbërrin në Shqipëri delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Këshilli i Evropës pritet të paraqesë edhe njëherë sot qëndrimet kundër bojkotit të parlamentit nga ana e Partisë Socialiste.
Në vijim të deklaratave për zgjidhje të menjëhershme të situatës politike në vend, KiE zyrtarizon përmes të dërguarve në Shqipëri, qëndrimin final ndaj tendencave të Partisë Socialiste dhe koherencës së treguar nga ana tjetër nga shumica parlamentare, për të bërë hetim të plotë të zgjedhjeve, nëse opozita vendos të rikthehet në parlament. Delegacioni i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, që nis sot një vizitë zyrtare në vendin tonë, i kryesuar nga Presidenti i asamblesë, Mevlut çavusoglu, i shoqëruar nga dy raporterët për Shqipërinë, Jako Laakso dhe David Wilshire dhe liderët e 5 grupeve parlamentare, pritet të zhvillojnë takime intensive me krerët më të lartë të politikës dhe shtetit, mbi mundësitë e gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme, për ngërçin politik të sajuar.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, do të përqendrohet fillimisht në takime “tet a tet”, me liderët politik të Shqipërisë, përkatësisht me kreun e mazhorancës Sali Berisha, atë të opozitës Edi Rama dhe takime të tjera si ai me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe me Presidentin Bamir Topi, ndërsa në përfundim të vizitës pritet të dalin në një qëndrim unik rreth situatës politike dhe me propozime konkrete për kapërcimin e saj, duke apeluar për thyerjen e bojkotit dhe kalimin në Kuvend të pretendimeve të paraqitura deri më tani nga opozita.
Ngërçi politik është parathënia e krerëve më të lartë të Këshillit të Evropës në takimet me përfaqësues të politikës shqiptare. Delegacioni i cili kryesohet nga Presidenti i Asamblesë, Mevlut çavusoglu mbërriti dje në Shqipëri, ndërsa në orët e para të ditës së sotme do të startojë axhenda e takimeve.
Misioni i Asamblesë së Këshillit të Europës vjen në Tiranë pas rezolutës së miratuar në 28 janar nga ky institucion, mbështet zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe kthimin e opozitës në Kuvend.
Asambleja e Këshillit të Evropës, u shpreh qartësisht në rezolutën e miratuar për situatën politike në Shqipëri, ku i bëhet thirrje opozitës që të rikthehet në Kuvend dhe në bashkëpunim me mazhorancën të miratohet ngritja e një komisioni parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Por, duke parë se opozita shqiptare nuk bën dot asnjërën e as tjetrën, Këshilli i Evropës ka vendosur të dërgojë një delegacion me përfaqësuesit më të lartë të këtij organizmi, për të parë nga afër situatën politike dhe qëndrimet antagoniste të palëve.
Edhe më herët, përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë shprehur se bojkoti dëmton efiçencën e demokracisë dhe të shtetit ligjor, ndërsa si përgjigje nga PS kanë marrë shpërfilljen dhe sfidimin e rolit monitorues të ndërkombëtarëve.
Në kushtet kur PS nuk ka asnjë argument dhe asnjë të dhënë faktike lidhur me kërkesat e ngritura prej saj, shumica parlamentare në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare janë më shumë se të angazhuara për një zgjidhje korrekte të situatës, por pa shkelur apo dhunuar vendimet e gjykatave, të cilat janë dhënë të formës së prerë.
Axhenda
Delegacioni do të informohet fillimisht me ecurinë e negociatave të tryezës së thirrur nga kreu i shtetit mes dy liderëve kryesorë politikë në vend Rama e Berisha për të zgjidhur krizën.
Më tej, delegacioni i KiE do të takohet me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe në orën 11.45 është planifikuar takimi me kryeministrin Sali Berisha, në selinë e Kryeministrisë. Ndërkaq, më vonë, rreth orës 15:15, delegacioni do të takohet me kryetarin socialist, Edi Rama dhe drejtues të tjerë të partisë në opozitë me të cilët do të qëndrojnë të paktën 60 minuta.
Pas të gjithë këtyre takimeve në orën 17.00 do të takohen sërish në presidencë me kreun e shtetit Topi për të diskutuar përmbylljen e takimeve.
Përveç kreut të Asamblesë Parlamentare të KiE, do të jenë pjesë e këtij misioni edhe dy raporterët për Shqipërinë, Jako Laakso dhe David Wilshire dhe liderët e 5 grupeve parlamentare.
Misioni i Këshillit të Evropës ka planifikuar që të gjitha rezultatet e takimeve t’i bëjë të ditura në një konferencë për shtyp, ditën e martë, në orën 10:30.
Pika 10-të e rezolutës së KiE që udhëzon delegacionin për të vizituar Shqipërinë
Pika 10-të e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, udhëzon krerët më të lartë të këtij institucioni, për të ndjekur nga afër situatën politike në Shqipëri në një moment dhe kohë të përshtatshme.
Delegacioni i KiE, mbërriti që dje në vendin tonë, ndërsa gjatë ditës së sotme, do të njihet me qëndrimin e mazhorancës në mbrojtje të shtetit ligjor dhe me pretendimet e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
“10.4. Komitetit Presidencial së bashku me bashkë-raportuesit e Komisionit të Monitorimit, do të vizitojnë Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, menjëherë pas përfundimit të punimeve të Asamblesë së Këshillit të Evropës”, thuhet në rezolutën për Shqipërinë të Asamblesë së KiE.