E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas çështjeve në Strasburg, gjyqtarët trajnim për vendimet

18/07/2009  Bianku: Janë një sërë çështjes që kërkojnë vëmendje

Qendra evropiane në Tiranë ka organizuar për dy ditë me radhë në qytetin e Shkodrës një trajtim të gjerë rreth Konventës Evropiane të të drejtave të njeriut, ku morën pjesë gjyqtarë e prokurorë të kryeqendrës së veriut të vendit tonë. Sipas organizatorëve, shkak i këtij trajnimi, që do të bëhet në të gjitha rrethet gjyqësore të vendit, janë bërë një numër i konsiderueshëm penalizimesh për shtetin shqiptar, nga gjykatat ndërkombëtare, për shkak të mosrespektimit të Konventës në fjalë. Ndër problematikat e trajtuara nga qendra evropiane e Tiranës ishin proceset gjyqësore civile të pronësinë, të cilat po kthehen në gjoba të rënda për shtetin shqiptar, nga gjykata e Strasburgut, si dhe proceset e parregullta të licencimit, apo shkeljet e vërejtura në pezullimet e parakohshme të licencimeve.

Në një prononcim për mediat Ledio Bianku theksoi se sistemi gjyqësor shqiptar ka shumë për të bërë për të arritur standardet e Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, si dhe ato të gjykatës së Strasburgut. “Domosdoshmëri e këtyre trajnimeve vjen për disa arsye. Së pari sepse standardet që ofron Konventa dhe që përpunon gjykata e Strasburgut janë në evolucion të përhershëm. Pikërisht për arsye të përpunimit të këtyre standardeve, por edhe për arsye të vendimeve më të reja që dalin duke nxjerrë në pah problemet shqiptare, lind nevoja e këtyre trajnimeve e këtyre informacioneve, këtyre debateve me gjyqësorin shqiptar për të diskutuar pikërisht ku qëndrojnë problemet dhe si kanë evoluar standardet që të drejtat e njeriut të mbrohen më mirë. Arsye tjetër është që Konventa Evropiane e të drejtave të njeriut, apo përgjithësisht filozofia e të drejtave të njeriut nuk mund të presë që vendimi të jepet në Strasburg”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›