Pas dy viteve, rikthehet Komiteti Kombëtar i Kancerit. Gati strategjia
Përmirësimi i cilësisë së jetës për të sëmurët, parandalim parësor, zbulim të hershëm dhe ulje të stadit të tumorit në momentin e diagnostikimit. Këto janë katër pikat kryesore mbi të cilat do të përqendrohet puna e Komitetit Kombëtar të Kancerit. Pas dy viteve mungesë rikthehet kjo strukturë e cila në përbërje të saj do të ketë dhjetë specialistët më të mirë nën drejtim të zëvendësministrit Bardh Spahia. Hartimi i një draft strategjie është synimi i punës së komitetit për të sjellë “Programin Kombetar të Kontrollit të Kancerit”, që do t’i përcillet Këshillit të Ministrave. I pranishëm në mbledhjen e parë të kësaj strukture, Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili siguroi mbështetjen maksimale të tij dhe institucionit që ai drejton. Ndërkohë që lidhur me objektivat e synuara zëvendësministri Bardh Spahia, si drejtuesi i kësaj strukture sqaroi se ky komitet synon një bashkërendim të përgjithshëm të shumë veprimtarive në luftën kundër kancerit. “Do të punojmë për një përqasje më të planifikuar dhe me efektive, duke vlerësuar dhe u ballafaquar me situatën në të cilën ndodhemi. Kemi gjithë vullnetin e duhur për vendosjen e objektivave shëndetësore, vlerësimin e strategjive të mundëshme dhe ajo që është më e rëndësishme, vendosjen e përparësive të qarta”, u shpreh ai gjatë mbledhjes. Krijimi i një strukture të tillë është një nismë e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila prej kohësh ka kërkuar një draft për një “Program Kombëtar të Kontrollit të Kancerit”, në bazë të parimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky program kombëtar do të shtrihet në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor shqiptar dhe do të jetë pronë e komunitetit, duke synuar dhe përfshirjen e shoqërisë nëpërmjet veprimit kolektiv dhe social. Sipas statistikave, në vendin tonë numërohen mbi 4500 raste të reja me kancer në vit, ndërkohë që në botë kjo shifër shkon 10 milionë.