E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i kokainës, gracka ku ranë dy trafikantët



ELBASAN/DURRËS – Shpeshtimi i trafikut të kokainës ka dhënë sinjalin e alarmit te agjentët antidrogë, të cilët kanë mbajtur nën vëzhgim dhe dje kanë finalizuar një tjetër operacion, duke sjellë sekuestrimin e gjysmë kilogrami drogë. Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me strukturat antidrogë të Durrësit, përfunduan operacionin e koduar me emrin “Laguna”, duke arrestuar shtetasit Arben Manxhaku, 39 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Lagjen Nr. 10 në Durrës dhe Simon Topçen, 28 vjeç, banues në Lagjen Nr. 18 të qytetit bregdetar. Dy personat e ndaluar mëngjesin e djeshëm në rrethrrotullimin e Plepave në Durrës janë mbajtur prej disa javësh nën mbikëqyrje, pasi dyshohet se janë pjesë e rrjetit të trafikut të kokainës që ka lulëzuar prej muajsh në Shqipëri.

Operacioni
Trafikimi i 0.5 kilogramëve kokainë nuk vjen rastësisht, pasi më 1 dhjetor u sekuestrua një sasi droge e këtij lloji në Shijak. Ndonëse nuk përjashtohet pista e një lidhjeje të mundshme të fijeve me rastin e mëparshëm, hetimi disamujor i agjentëve antidrogë, të cilët kanë përdorur teknika speciale investigimi, ka çuar në rrjetë edhe dy trafikantë të tjerë: Arben Manxhaku dhe Simon Topçe. Ata janë mbajtur nën kontroll të rreptë. Lidhjet e tyre ishin në Elbasan, prej nga ku droga do të shkonte në Korçë dhe më tej të trafikohej në Greqi. Menjëherë nisi koordinimi i punës mes forcave policore të Elbasanit dhe të Durrësit dhe dje u finalizua aksioni. Patrulla e agjentëve antidrogë ushtroi kontroll mëngjesin e djeshëm në kryqëzimin e Plepave, në mjetin tip “Benz” me targa DR 8304 E, ku u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale lëndë narkotike, e cila për nga karakteristikat e saj ngjason me kokainën, me peshë të përgjithshme 500 gramë. Për realizimin e këtij aksioni ishte përgatitur një plan masash në kuadër të operacionit të koduar “Laguna”. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se “hetimi ndaj këtyre dy shtetasve ka nisur prej një periudhe disamujore, duke përdorur metodat speciale të hetimit të krimit nga ana e specialistëve të seksionit kundër narkotikeve.

Rastet
Gjatë dy muajve të fundit janë shpeshtuar tentativat e trafikut të kokainës përmes territorit shqiptar. Malli me origjinë nga Panamaja, Bolivia apo edhe vende të tjera, ka gjetur shteg për t’u shitur apo kaluar tranzit në territorin shqiptar. (shih operacionet e fundit). Të dhënat e dala nga operacionet e fundit flasin për rigjallërim të rrjeteve të dikurshme të trafikimit të kësaj droge të fortë dhe të kushtueshme në tregjet ndërkombëtare. Kanali i mëndafshtë ka gjetur vrima për të hyrë edhe në Shqipëri dhe më pas për t’u shitur në tregun grek apo atë italian. Këto të dhëna kanë dalë edhe në raportet më të fundit të agjencive ndërkombëtare të luftës kundër trafikut.

RASTET

Më 1 dhjetor kapen 830 gramë kokainë në Shijak (arrestohet Florian Keçi dhe një 17-vjeçar)

Më 22 nëntor kapet kokaina që vinte nga Panamaja. (prangosen: Ilia Xoxe, Arben Uku dhe Ervin Tushe)

Më 11 nëntor gjenden 290 gramë kokainë në barkun e ish-volejbollistit të Kombëtares, Arjan Korça

Më 2 nëntor sekuestrohen 10 kg kokainë që vinte nga Bolivia në Amsterdam, Maltë, me destinacion Durrësin

22 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›