E Diel, 1 Nëntor 2026

Sharjet dhe gjoba në kufi, Gjykata e Prizrenit thërret deputeten Vokshi



PRIZREN – Gjykata e Prizrenit thirri për të dëshmuar deputeten e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Vokshi, për incidentin në kufirin e Morinit. Mediat e Kosovës bënë të ditur faktin se Vokshit i është dërguar ftesa për të dhënë versionin e saj në lidhje me konfliktin në pikën kufitare dhe për gjobën 200 euro që mori ajo nga patrulla policore. Burimet zyrtare të kësaj gjykate bëjnë të ditur se trupa gjyqësore është shprehur se do t’i shkojë deri në fund procesit. Po ashtu, në seancë do të jenë edhe katër punonjësit e pikës kufitare të Morinit, të cilët, pasi u pezulluan nga detyra, u rikthyen sërish pas presionit që bënë grupet e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Incidenti i 14 nëntorit mes deputetes shqiptare dhe Policisë Kufitare të Kosovës solli polemika të shumta mbi sjelljen e Vokshit. Ndërkohë, kjo e fundit i akuzoi policët për veprime të tepruara dhe arbitrare. Në një debat me policët, të cilët e kishin ndaluar për kontroll, deputetja e Partisë Demokratike iu drejtua atyre duke i cilësuar si “kafshë”.
Policët bënë ndalimin e deputetes për tri orë në postën e policisë Merdare dhe më pas në rajonin e Policisë së Prizrenit, ndërkohë që dosja u referua në Gjykatën Komunale. Kjo ngjarje u pasua edhe me deklarata politike. Kryeministri Berisha pohoi publikisht se homologu kosovar, Hashim Thaçi, i ka kërkuar ndjesë deputetes për përplasjen e ndodhur. Por, rikthimi në detyrë i punonjësve të policisë konfirmoi faktin se ata kanë bërë detyrën dhe nuk janë tërhequr as përballë presionit të personit me imunitet që vinte nga Shqipëria.

22 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›