E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet i dënuari për trafik droge



GJIROKASTËR - Prangoset në Gjirokastër një shtetas i dënuar me 7 vjet burg nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “trafik të lëndëve narkotike”. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, në hyrje të qytetit jugor është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Hajri Buci, 26 vjeç, lindur në Lurë të Dibrës dhe banues në Durrës. Kapja e tij u bë për arsye se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim sepse Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë, me vendim nr. 18, datë 12 mars të këtij viti, e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burg për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”. Në vitin 2007, Buci, së bashku me dy shtetas të tjerë, me një automjet tip “Toyota”, po transportonin 212 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë në drejtim të shtetit grek. Por policia i ndaloi pranë qytetit të Libohovës, ku ka bërë të mundur sekuestrimin e automjetit, të lëndës narkotike dhe të drejtuesit të automjetit, ndërsa ky shtetas ka mundur të largohet, duke përfituar nga errësira. “Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Gjirokastrës.

Spahiu përsërit apelin: “Të hiqet imuniteti i gjyqtarëve”

TIRANË – Rikthehet ideja për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve. Gjatë një aktiviteti të organizuar nga USAID dhe Ministria e Drejtësisë, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, bëri thirrje që të hiqet imuniteti i gjyqtarëve si një nga masat për të luftuar korrupsionin në Gjyqësor. “Imuniteti është kthyer në një tabu, i cili duhet thyer. Shfrytëzoj rastin për të dhënë dy mesazhe në Kuvendin e Shqipërisë, që ka ardhur momenti që imuniteti i gjyqtarëve nuk mund të kthehet në një tabu, e cila shpeshherë shpërdorohet dhe pengon organin e akuzës për të penguar organin e akuzës të bëjë hetime në Gjyqësor. I bëj thirrje Kuvendit të Shqipërisë për të gjetur mundësinë dhe vullnetin politik për të miratuar projektligjin e miratuar nga Ministria e Drejtësisë për ngritjen e Gjykatave Administrative”, - është shprehur Spahiu.
Ndërsa drejtori i misionit të USAID-it në Shqipëri, Xhozef Uilliams, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të ndihmojnë Shqipërinë në forcimin e shtetit ligjor. Në aktivitetin e zhvilluar dje në Tiranë, zoti Uilliams theksoi edhe se objektivi i amerikanëve do të mbetet përveç transparencës dhe drejtësisë edhe përmirësimi i arsimit juridik. Ministri i Drejtësisë, Nishani vlerësoi faktin e mbledhjes së aktorëve kryesorë për diskutimin e çështjeve të drejtësisë.
Programi i USAID “Për një drejtësi më transparente, të efektshme dhe të përgjegjshme në Shqipëri”, do të përfshijë edhe rolin mbikëqyrës dhe antikorrupsion të organizatave të shoqërisë civile dhe medias.

22 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›