E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi e vlerëson të qetë fillimin e fushatës

Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar pozitiv procesin e përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, duke e cilësuar po ashtu të qetë dhe pa probleme fillimin e fushatës elektorale.

Dëshiroj të theksoj se zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur, dhe i gjithë procesi zgjedhor është duke vazhduar i qetë, demokratik, si një proces i konkurrencës së vlerave, të një konkurrence dinjitoze të programeve e koncepteve, ka thënë Thaçi, në mbledhjen e rregullt të sotme të Qeverisë.

Sipas tij, përgatitjet teknike janë duke shkuar shumë mirë. Qeveria është e përkushtuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komisionet tjera përkatëse të kenë të gjitha kushtet, duke përfshirë edhe mbështetjen adekuate financiare, mbështetjen teknike, dhe çfarëdo mbështetje që i nevojitet.

Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin edhe për vizitën që dje së bashku me presidentin Sejdiu dhe ambasadorin amerikan, Dell, i ka bërë KQZ-së. Jemi të bindur se këto zgjedhje të para në Kosovën e pavarur do të jenë shembull i pjekurisë politike i gjithë spektrit politik kosovar, dhe i një pjesëmarrjeje të madhe në zgjedhje. Gjithashtu do të dëshiroja ti falënderoja të gjitha partitë për fushatën e tyre korrekte, të qetë demokratike, ka shtuar Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›