E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas lirimit të Jakës, Berisha: Kemi arrestuar zv.ministra

Pak ditë pas lirimit nga burgu të ish-zv.ministrit Nikolin Jaka, Kryeministri Berisha e ka përmendur arrestimin e tij si dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë nëpër ministri si arritje të qeverisjes së tij të deritanishme. 

Duke folur në kuadër të turit “Shqipëria në NATO” në qytetin e Gramshit, kreu i qeverisë u shpreh se qeveria është e vendosur për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata zyrtarë që abuzojnë me fondet publike. “Qeveria kaloi një ligj që atyre që denonconin korrupsionin u jep 50% të vlerës dhe mbrojtje të plotë si dëshmitarëve të krimeve të rënda. Qeveria ka vendosur prapa hekurave me dhjetëra e dhjetëra zyrtarë, qofshin ata zv.ministra, sekretarë të Përgjithshëm, drejtorë Rrugësh. Ju jap fjalën e nderit se nuk do të ketë zyrtarë të qeverisë time që do të zgjasë dorën drejt parave tuaja që të mos i pritet ajo me gërshërën e ligjit”, u shpreh dje Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë foli në qytetin e Gramshit edhe për raportin e fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara lidhur me nivelin e kriminalitetit në vend. Duke kapur anët pozitive të këtij raporti, Berisha u shpreh se në të faktohet se Shqipëria ka nivel të ulët të këtij treguesi në vendet e Bashkimit Evropian. “Sirenat e mafies që po u ngushtohen çdo ditë e më shumë hapësirat, po thonë të kundërtën, por janë po këta të cilët në momentin kur Presidenti Bush dhe 26 vendet anëtare të NATO-s votonin për Shqipërinë, ata shpifnin dhe disinformonin se Shqipëria nuk do të pranohet në NATO. Hapni sytë ndaj këtyre segmenteve, sepse çdo hap drejt NATO-s dhe BE-së u ngushton gjithnjë e më shumë hapësirat segmenteve të mafies”, u shpreh Kryeministri Berisha. Një tjetër premtim i mbajtur, sipas kreut të qeverisë, ishte edhe shkurtimi i administratës. Berisha tha se nëse do ta përdorte administratën për qëllime politike do ta zgjeronte atë, ndërkohë që, sipas tij, administrata është shkurtuar me 31%. “Ju premtova qeveri në dietë dhe e mbajta fjalën, ju premtova qeveri të vogël. Administrata ka 31% punonjës më pak se në vitin 2005. Nëse do të bëja politikë votash duhet t`i shtoja 31% më shumë, por nuk bëj vota me taksat tuaja. Edhe unë jam i interesuar për vota, por jam i bindur se votat mblidhen duke bërë më të mirën për të gjithë qytetarët”, theksoi më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›