E Diel, 1 Nëntor 2026

Francesco Leancini, historia e padrejte me Shqiperine

20/01/2005  Francesco Leancini

Historia e padrejtë me Shqipërinë

Historiografia italiane është defiçitare me përballjen e fakteve historike të së kalurës që kanë ndodhur në kontinetin plak, e kryesisht në rajonin e Adriatikiut. Ky është një opinion që prof. Francesco Leancini ka shprehur në intervistën e dhënë për gazetën "Metropol". Leançini ka theksuar midis të tjersh se, ekspozita e titulluar "Shqipëria, fronti i harruar i Luftës së Madhe", që u hap dje pasdite në Galerinë Kombëtare, vjen si një rezultat i përpjekjeve të përbashkëta austriake dhe italiane dhe synon që të tërheqë vëmendjen, në të shkuarën historike të rajonit, që do të ndihmojë për të ndërtuar urat e bashkëpunimit.

Kur dhe si lindi ideja e një ekspozite të tillë?

Kjo ekspozitë në fakt është një vepër e kolegut tim prof. Eugjen Buçol, i cili punon në arkivin e luftës së Vienës. Atje ai gjeti këto fotografi që i përkisnin frontit shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore. Ky fakt bëri të mundshëm zgjerimin e idesë dhre prezantimin i materialeve të ngjashme jo vetëm nga arkivi austriak por edhe ai italian. Ajo që paraqet interes në këtë ekspozitë është edhe aspekti civil i saj, pra i kostumeve popullore apo edhe realitetit antropologjik të Shqipërisë në përgjithësi. Ajo që tëheq vëmendjen është fakti se ka shumë ngjashmëri midis realitetit shqiptar dhe atij italian është e dukshme si në mënyrën e jetesës ashtu edhe të kushteve të jetesës në fillimet e viteve 1900. Ky fakt vjen si një argument kokfortë ndaj disa qarqeve italiane që pretendojnë një diferencë kulturore midis Italisë dhe "barbarëve" përtej Adriatikut, si në kohën e D' Anunçios, fazhizmit etj., që e përdornin këtë argumnet për koloniliazimin e këtyre territoreve, nën pretendimin e civilizimit të tyre, gjë që s'ishte aspak e vërtetë. Përkundrazi, jo vetëm që kushtet e jetës ishin pothuajse të ngjashme, por Shqipëria kishte një traditë jo vetëm tërësisht të sajën, të pastër e konkrete dhe, që gjatë gjithë periudhës otomane kishte identitetin e vet nacioanl. Nga ky kënd vështrimi mund të themi se kjo ekspozitë i jep një të drejtë të mohuar Shqipërisë, të përiudhës në fjalë.

Një ekzpozitë më të gjitha fotografitë e arkivit mbi Shqipërinë...

Po. Janë të gjitha fotografitë e arkivit të luftës së Vienës, por edhe shumë foto të tjera, të cilat i përkasin koleksionistëve privatë italianë dhe të gazetave italiane të kësaj periudhe, të cilat Buçol i ka mbledhur në biblioteka të ndryshme. Pra ekspozita vjen si një rezultat i kërkimeve të dyfishta, si në Austri ashtu edhe në Itali. Eshtë një ekspozitë të cilën e kemi organizuar si në Itali ashtu edhe në Vienë.

Cilat ishin reagimet gjatë prezantimit të ekspozitës në të dy vendet?

Reagimet kanë qenë shumë pozitive. Në Itali ekspozitë është hapur në rajonin e Trevizo në dy vende dhe kemi shprehur dëshirën ta hapim edhe në Venecia, por pa mundur ta realizojmë. Sikundër e dini në Venecia shqiptarët janë të "shtëpisë" mjafton ta hapësh katalogun e telefonit dhe do të gjesh në dhjetra mbiemra të pastër shqiptarë. Natyrisht e hapëm dhe në Vjenë pasi arkivi i Luftës së këtij qyteti ishte dhe iniciatori i saj.

Dhe në Tiranë ...

Në fakt, patëm vështirësi për ta sjellë direkt nga Vjena në Tiranë. Por meqënëse austriakët nxorën disa probleme ne e sollëm nga Qendra e Dokumentacionit të San Paolo di Piave në Trevizo ku ndodhesh kjo ekspozitë me kopjet fotografike, dhe mund të them pa frikë se këto kopje janë ndoshta më të mirat edhe se origjinalet. Një nga arsyet që erdhëm në këtë periudhë është se viti 2005 përkon me 90 vjetorin e hyrjes zyrtare të Italisë në Luftë e Parë Botërore në vitin 1915, në të njëjtën kohë me traktatin e Londrës, traktat i cili vuri në dyshim edhe pavarsinë e Shqipërisë të shpallur në vitin 1912. Këtë projekt Italia e kundërshtoi kështu që Shqipëria u shndërrua përsëri në një objekt shkëmbimesh midis fuqive të mëdha, sikundër edhe shumë vende të tjera të Evropës Qëndrore dhe Juglindore e më gjerë. Madje kam bindjen se fati i shumë vendeve të këtij rajoni gjatë viteve 1800-1900 ka qenë ai i objekteve të politikave ndërkombëtare se sa ai i subjekteve të pavarura. Fuqitë e mëdha shpeshherë kanë luajtur në kurriz të këtyre vendeve të vogla.

Nga pikpamja historike kush janë të rejat që ofron kjo ekspozitë?

Nga kjo pikpamje mund të mësojmë në lidhje me ushtritë në fjalë mbi armatimin dhe veshjet e tyre, marrdhëniet e tyre me popullsinë. Në shumë foto vihet re se si ushtarët dhe popullsia bashkëpunojnë midis tyre për arsye nga më të ndryshmet. Mund t'i quajmë ndryshe edhe fotografi të jetës së përditshme pasi na aspektin ushtrarak konsideroheshe si një front sekondar. Pra, në këtë aspekt nuk besoj se ka shumë për të mësuar sikundër mund të mësohet shumë nmbi realitetin social të Shqipërisë në atë kohë.

A jep ekspozita një ide mbi aleatët e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe?

Nuk besoj, dhe unë nuk jam thelluar shumë në studimet e historisë shqiptare pasi kjo ekspozitë ka patur më shumë qëllim të krijojë një hapësirë më të madhe historisë shqiptare në kontekstin e asaj evropiane. Sigurisht që Italia kishte një interes të jashtëzakonshëm të pushtonte brigjet shqiptare të Adriatikut, Vlorën, Sazanin etj.

Kjo do t'i mundësonte asaj zotërimin e kanalit të Otrantos, që u arrit për të penguar zbarkimin e austro-hungarezëve. Pra Shqipëria ishte një pikë tepër strategjike në këtë luftë, dhe ajo u pushtua me të tëra pasojat që ka një ndërhyrje ushtarake. Si në këtë luftë ashtu dhe në Luftën e Dytë Botërore, Italia e pushtoi Shqipërinë për interesat e saj ushtarake dhe aspak për interesa shqiptare. Kjo nxjerr edhe një herë në pah lojën që fuqitë e mëdha kanë bërë në kurriz të popujve të vegjël.

Shpresoj që kjo ekspozitë të ndikojë sado pak në ndryshimin e kësaj faqeje të historisë në mënyrë që Adriatiku të shndërrohet në një det bashkëpunimi dhe i respektimit të të drejtave.

Kjo është një e ardhme që duhet ndërtuar pas natyrisht e kaluara nuk ka patur, objektivisht, këtë aspekt, pasi edhe komunizmi që pasoi në Shqipëri ngriti barriera artificiale midis dy vendeve të cilat nuk ishin thjesht ushtarake por dhe psikologjike e shpirtërore. Kjo ekspozitë shërben pikërisht për të ndricuar më mirë të shkuarën për të shembur barrierat.

A po ecën me të njëjtën frymë të ekspozitës edhe historiografia italiane?

Në fakt historiografia italiane është përqëndruar më shumë në përplasjet me vendet e mëdha duke e lënë pak sa në harresë ose duke qenë deficitare me frontin e Adriatikut. Ky front ishte shumë deciziv pasi krijonte një lloj dare rrethuese ndaj forcave austro-hungareze duke i lejuar Italisë dominimin e kësja zone. Shpresoj që ekspozita të tërheqë vëmendjen e historiografisë sonë, drejt këtij fronti "të harruar".

Kjo edhe për vetë faktin se në raport me vendet e tjera evropiane, Italia është pak e sensibilizuar për t'u përballur me problemet historike e politike të kohëve të shkuara në kontinentin tonë. Ky është një dificit objektiv si i historiografisë ashtu dhe politikës italiane të cilat padyshim janë të lidhura ngushtë midis tyre.

Intervistoi: Leonard Olli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›