Në gjyq grupi i Lazaratit, akuzë për trafik droge në drejtim të Greqisë
TIRANE - Pesë persona të akuzuar për trafikim droge nga zona e Lazaratit në Shqipëri me destinacion Greqinë, u dërguan të pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj të pandehurve, Kastriot Llupi, Vilson Rushi, Spiro Kotroci, Sinan Rabi dhe Femi Rabi. "Më 19 shkurt 2008, tre të pandehurit Vilson Rushi, Kastriot Llupi dhe Spiro Kotroci janë kapur në flagrancë në afërsi të fshatit Bularat, të Gjirokastrës, duke çuar nëpërmjet rrugës së malit në këmbë dy çanta me bimë, të cilat, sipas aktit të ekspertimit kimik nr 1205 datë 22.05.2008 të Institutit të Policisë Shkencore, rezulton të jetë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa", thanë burimet zyrtare nga prokuroria. Sipas tyre, atë ditë tre të pandehurit kanë shkuar për të marrë çantat në një tunel në afërsi të fshatit Bularat. "Pasi kanë marrë çantat janë nisur së bashku në drejtim të kufirit me shtetin e Greqisë. Ata do të kalonin në Qafë të Koshovicës dhe më pas do të zbrisnin në Igumenicë të shtetit të Greqisë, ku do të dorëzonin lëndën narkotike", thanë më tej burimet nga prokuroria. Sipas tyre, këtë rrugë do ta drejtonte i pandehuri Kastriot Llupi, pasi ai e dinte itinerarin për shkak se kishte kaluar edhe herë të tjera në të njëjtin destinacion. "Personi që u ka propozuar të pandehurve për të kryer veprimet e trafikimit ka qenë i pandehuri Sinan Rabi, nga fshati Lazarat, i cili u ka kërkuar të tjerëve të veprojnë kundrejt shpërblimit përkatës", thanë burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, lënda narkotike që do të trafikohej nga mali për në Greqi ishte në pronësi të të pandehurit Femi Rabi, nga Lazarati. Nga pesë të pandehurit mësohet se katër prej tyre janë nën masa të ndryshme sigurie në arrest ndërsa i pesti, Femi Rabi, nga Lazarati, është person në kërkim. Për këtë shtetas policia nuk ka mundësuar arrestimin e tij ,pasi efektivat blu nuk kanë arritur të hyjnë dhe të kontrollojnë në zonën e Lazaratit vendqëndrimet ku dyshohet se fshihet i kërkuari. Dosja penale për këtë episod trafikimi të drogës nga Lazarati drejt Greqisë, është dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku pritet që brenda pak ditëve të fillojë gjykimi i saj. tr.so
Të akuzuarit
Kastriot Llupi
Vilson Rushi
Spiro Kotroci
Sinan Rabi
Femi Rabi