Pas raportit te Marianne Birthler, kuptohen divergjenncat e reja gjermane lidhur me STAS-in
Të dhënat e reja që lidhen me rastin e vrasjes së studentit Beno Ohnesorg ndezin sërish kritikat ndaj autoritetit për dokumentat e Shtazit. Edhe 20 vjet pas rënies së Murit të Berlini, fjala Shtazi (Stasi), pra sigurimi i shtetit i RDGJ-së mjafton për të tërhequr vëmendjen. Aq më tepër kur E Ngarkuara Federale për Dokumentat e Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së, Mariane Birthler, paraqet raportin për veprimtarinë e saj dhe kur vetëm pak ditë më parë zbulohet një rast spektakolar që ka të bëjë me Shtazin.
Atmosfera ishte e acaruar, kur shahu i Persisë, Mohamad Reza Pahlavi, vizitoi Berlinin Perëndimor dhe u prit me nderime nga mikpritësit e tij. Studentë kritikë dhe intelektualë mendonin se nderimi i një diktatori tregonte se RFGJ-ja vazhdonte të kishte edhe më shumë se 20 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore tipare fashiste. Vdekja e dhunshme e studentit Beno Ohnesorg gjatë një demonstrate kundër shahut më 2 qershor 1967 bëri që kupa e mbushur të derdhet. Autori i së shtënës vdekjeprurëse, Karl Heinz Kurras, u shpall i pafajshëm në disa procese gjyqësore, për shkak të mungesës së provave. Polici Kurras, ndërkohë 81 vjeç dhe në pension, ishte që prej vitit 1964 anëtar i partisë shtet të RDGJ-së, Partisë Socialiste të Bashkuar SED. Kjo u mor vesh tani, sepse dosja e tij u gjet rastësisht, megjithëse shumë autorë dhe shkencëtarë patën botuar materiale për vdekjen e studentit Benno Ohnesorg dhe kishin bërë kërkime në dokumentat e Shtazit të administruara nga ekipi rreth Mariane Birthlerit. Disa shkencëtarë, midis tyre ish-kolegu i Birthlerit, Hubertus Knabe, e akuzojnë të Ngarkuarën për Dokumentat e Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së për dështim, para së gjithash në fushën e kërkimeve shkencore. Kritiku Knabe drejton prej shumë vitesh Qendrën Përkujtimore në ish-burgun e Shtazit, Berlin-Hohenschönhausen.
Ndaj kësaj kritike Birthleri reagon e qetë: "Mund të më besoni se sa herë që ne paraqesim raportin për veprimtarinë tonë, Bundestagu merret me shumë vëmendje me këtë temë. Ne diskutojmë edhe me këshillin tonë të shkencëtarëve. Aty nuk mbështetet një supozim i tillë, se ne nuk jemi në gjendje ta përballojmë detyrën tonë". Edhe kritika, se autoriteti për dokumentat e Shtazit interesohet pak për studimin e punës së sigurimit të shtetit të RDGJ në Perëndim, është e gabuar, tha Birthler. Ajo tërheq vëmendjen tek disa botime për këtë temë.
Edhe socialistët e Partisë së Socializmit Demokratik, PDS, të dalë nga partia shtet e RDGJ-së e konsiderojnë të njëanshme punën e autoritetit për dokumentat e Shtazit, me 1700 bashkëpunëtorët e tij. Dagmar Enkelman (Enkelmann), sekretare e grupit parlamentar të partisë "E Majta" në Bundestag është historiane. Në të kaluarën edhe ajo ka qenë kundër që dokumentat e sigurimit të shtetit të RDGJ të kalonin në Arkivin Federal, sepse për shkak të dispozitave ligjore ato do të shfrytëzoheshin atje edhe me më vështirësi. Në vitin 2019 dokumentat e Shtazit do të përfundojnë gjithsesi në Arkivin Federal. Kështu është parashikuar në konceptin për qendrat përkujtimore të qeverisë federale. Deri atëherë, zbulime herë më pak dhe herë më shumë të bujshme do të vazhdojnë të na tërheqin vëmendjen me përmbajtjen e tyre.
...