E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sefgjini: “Kush do të përfitojë nga Instituti i Provës”

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Dënimet alternative

Drejtori i Institutit të Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini, në një intervistë të dhënë për gazetën “Ballkan”, ka treguar procedurat që do të ndiqen si dhe kategoritë që do të përfitojnë nga ndryshimi i legjislacionit për të burgosurit. Ai është shprehur se shumë shpejt Instituti i Shërbimit të Provës do të vihet në funksionim dhe shumë të burgosur pritet që t u konvertohet dënimi nga ai me burg në shërbim të detyruar në favor të interesit publik. Sipas tij, “nga ky institut do të përfitojnë personat e dënuar me burgim të cilët i kanë kërkuar gjykatës zëvendësimin e dënimit me ndonjë nga dënimet alternative e për të cilët gjykata do të kërkojë raportin e Shërbimit të Provës para se të japë vendimin e saj. Personat për të cilët gjykata ka dhënë vendimin e saj për zëvendësimin e dënimit me burgim me dënim alternativ dhe për të cilët prokurori ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit të këtij vendimi.
1.Ku konsiston Instituti i Provës? Është thjesht një alternativë e lirimit me kusht apo do të insistohet në riintegrimin e të dënuarve në shoqëri?

Sikurse tashmë njihet Kodi Penal shqiptar ka ndryshuar në kreun e tij që lidhet me dënimin. Në kuadër të reformës në drejtësi dënimi me burgim mund të zëvendësohet me dënime të tjera, të cilët njihen si dënimet alternative. Të tilla janë zëvendësimi i dënimit me burgim me dënimin në gjysmëliri, me pezullimin e dënimit me burgim dhe vënia në provë e të dënuarit për një kohë prej 18 muaj deri në 5 vjet, dënimi me detyrimin për të kryer një punë me interes publik, dënimin me qëndrimin në shtëpi apo në një institucion të kujdesit publik, apo lirimin me kusht.
Shërbimi i Provës në veprimtarinë e tij do të përpiqet të zhvillojë ndjenjën e përgjegjësisë së të dënuarit ndaj komunitetit dhe viktimës si dhe të mbështesë e inkurajojë riintegrimin social të të dënuarit nëpërmjet një qëndrimi korrekt ndaj punës dhe ndaj shtetit ligjor. Shërbimi i Provës do të mbikëqyrë dhe mbështesë të dënuarin në zbatimin e dënimit alternativ me qëllim mbrojtjen e interesave publike dhe parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale, do të asistojë të dënuarin gjatë kryerjes së dënimit alternativ në përmbushjen dhe realizimin e detyrimeve që rrjedhin prej tij, si dhe në kapërcimin e vështirësive për riintegrimin e tij shoqëror.
Në bazë të vlerësimit që do t i bëhet të dënuarit, Shërbimi i Provës me qëllim hartimin e programit të mbikëqyrjes, përcaktimin më të qartë të asistencës që do t i jepet të dënuarit për kapërcimin e vështirësive për riintegrim social, reduktimin dhe eliminimin e rrezikshmërisë shoqërore të të dënuarit dhe rehabilitimin e tij kontakton edhe me familjen e të dënuarit, persona të tjerë të afërt me të, kryen vëzhgim të mjedisit social të të dënuarit, bashkëpunon me OJF-të dhe shërbimin e ndërmjetësimit.
2. Sa është numri i të burgosurve që kërkojnë të lirohen me kusht dhe çfarë procedurash do të ndiqen për të arritur deri në momentin e lirimit?
Shërbimi i Provës në aktivitetin e tij nuk ka të regjistruar numrin e të dënuarve që plotësojnë kushtet e ligjit për të kërkuar zëvendësimin e dënimit penal me ndonjë prej dënimeve alternative që parashikon Kodi Penal. Ky institucion do të ketë të regjistruar në regjistrat e tij: personat e dënuar me burgim, të cilët i kanë kërkuar gjykatës zëvendësimin e dënimit me ndonjë nga dënimet alternative e për të cilët gjykata do të kërkojë raportin e Shërbimit të Provës para se të japë vendimin e saj,
personat për të cilët gjykata ka dhënë vendimin e saj për zëvendësimin e dënimit me burgim me dënim alternativ dhe për të cilët prokurori ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit të këtij vendimi. Numri i të dënuarve që plotësojnë kushtet për të kërkuar zëvendësimin e dënimit me burgim me ndonjë prej dënimeve alternative disponohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, por edhe në këtë rast kjo nuk do të thotë se ky është numri i personave që do trajtohen e mbikëqyren me programet e Shërbimit të Provës. Nëse do të nisin procedurat, pra nëse do të kërkojnë zëvendësimin e dënimit me burgim me dënimet alternative, kjo është një çështje që e vendos i dënuari.
3. A do të ketë ndonjë kategori të caktuar të burgosurish që do të jenë më të privilegjuar, siç janë psh, të miturit apo femrat e dënuara?
Ligji përcakton rastet kur dënimi me burgim mund të zëvendësohet me një dënim alternativ. Mund të përfitojnë ata që janë dënuar për vepra penale me rrezikshmëri shoqërore të vogël. Neni 59/a “Qëndrimi në shtëpi” i Kodit Penal parashikon se për dënimet me burgim deri në dy vjet ose kur kjo kohë është pjesë e mbetur e dënimit, sipas një vendimi për një periudhë më të gjatë burgimi, gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë me qëndrimin në shtëpi të të dënuarit, ose në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik. Ky dënim alternativ do të jepet vetëm për të dënuarit që përfshihen në grupe si për gratë shtatzëna ose nëna me fëmijë nën moshën 10 vjeç që jetojnë me të, do të jepet për baballarët që kanë përgjegjësi prindërore për fëmijën që jeton me të dhe që është nën moshën 10 vjeç e kur nëna e tij ka vdekur apo është e pazonja për t u kujdesur për të. Gjithashtu, do të mund të jepet edhe për persona, në kushte të rënda shëndetësore, që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor jashtë burgut, për personat mbi 60 vjeç, që janë të paaftë nga ana shëndetësore apo për të rinj, nën moshën 21 vjeç, me nevoja të dokumentuara shëndetësore, studimore, të punës apo përgjegjësive familjare.
4. Cilët do të jenë personat që do të bëhen palë e tretë në gjykatë për të përfaqësuar këtë institut, a kanë ata ndonjë specializim të veçantë për këta persona, pasi ky është një model i paaplikuar më parë në vendin tonë?
Duhet të kemi të qartë se në të gjitha rastet është Gjykata ajo që do të japë vendimin, është gjykata ajo që do të vendosë pranimin e kërkesës së të dënuarit për të zëvendësuar dënimin e tij me burgim, me ndonjë nga dënimet alternative sipas rastit. Gjykata do të kërkojë një raport dhe mendimin e institucionit të Shërbimit të Provës për rastin konkret e më pas do të shprehet me vendimin e saj. Shërbimi i Provës do të përfaqësohet në Gjykatë për të paraqitur raportin dhe qëndrimin e tij me anë të punonjësve të tij. Punonjësit e Shërbimit të Provës duhet të kenë mbaruar arsimin e lartë në një nga degët juridik, punë sociale, psikologji ose sociologji. Sigurisht që do të jetë e nevojshme që të zhvillohen trajnime të ndryshme, të cilat do të organizohen së shpejti.
5. Edhe sa kohë do të duhet që Instituti i Provës të fillojë së vepruari?
Tashmë Shërbimi i Provës është ngritur, aktet e domosdoshme ligjore janë miratuar, institucioni ka godinën e vet, shumë shpejt do të ketë edhe personelin që do të bëjë të mundur fillimin e funksionimit efektiv.
6. Cilat janë disa nga kriteret që duhet të plotësojë një i dënuar që të fitojë kohën e provës?
Kriteret dhe kushtet që duhet te plotësojë i dënuari për të kaluar në mënyrë korrekte kohën e provës janë të përcaktuar në ligjin penal, përcaktohen në vendimin e gjykatës si dhe në programin e mbikëqyrjes që do të përcaktojë Shërbimi i Provës. Mund të ndodhë që të jetë e pamundur përmbushja nga i dënuari i kushteve dhe detyrimeve që rrjedhin nga dënimi alternativ. Në këto raste Shërbimi i Provës, pasi verifikon faktet dhe rrethanat që ndikojnë për këtë, i dërgon një raport njoftimi prokurorisë mbi arsyet e mospërmbushjes së detyrimeve nga i dënuari, raport i cili përmban edhe një propozim për prokurorin për veprimet që duhen ndërmarrë në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë së shkeljes dhe vlerësimin që Shërbimi i Provës i ka bërë rastit.
7. Sa i gjerë do të jetë personeli i këtij instituti dhe sa do të jetë kapaciteti i të dënuarve që do të përfitojnë për një periudhë të caktuar?
Së pari, në lidhje me numrin e punonjësve, Qeveria me VKM ka miratuar strukturën dhe organikën e saj. Shërbimi i Provës do të ketë 50 punonjës dhe do të ketë drejtoritë rajonale në 4 qytete të vendit si në Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Fier. Sigurisht numri i zyrave vendore do të rritet, zyra vendore do të jenë të organizuara pranë të gjitha gjykatave të rretheve gjyqësore.
Së dyti, sa i takon pyetjes tjetër nuk ka një numër të caktuar të atyre që do të përfitojnë për një periudhe të caktuar kohe. Të gjithë të dënuarit që plotësojnë kushtet e ligjit mund të kërkojnë të përfitojnë nga kjo mundësi dhe është Gjykata ajo që do të vendosë rast pas rasti.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›