E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata dënon trafikantët e armëve

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar dje tre shtetas, të cilët akuzohen për trafik municioni. Gjykata ka dënuar me 8 vjet heqje lirie Zamir Zogun, Kujtim Lalicin me 7 vjet si dhe Blerim Senën me 5 vjet heqje lirie. Tre personat e dënuar në kohë dhe vende të ndryshme kryenin trafik armësh në Kosovë. Pas disa muajsh hetime, duke përdorur edhe metoda speciale të hetimit, akuza ka zbardhur edhe linjën e trafikut, e cila fillonte nga mbledhja e armëve në Sarandë dhe përfundonte në qytetin e Fushë-Krujës. Më pas, armët transportoheshin në Kosovë. Sipas dosjes së akuzës, armët dhe municionet ishin mbetje të trazirave të vitit 1997. Për dy muaj me radhë, këta persona janë mbajtur nën vëzhgim konstant dhe përgjim. Agjentët kanë ndjekur tre të dyshuarit në qytetin e Sarandës dhe i kanë mbajtur nën vëzhgim gjatë gjithë kohës. Në makinën e të pandehurve janë gjetur 14 arka të mbushura me fishekë automatiku, dy kallashnikovë, një "shot-gun", si dhe një pistoletë me silenciator, e mbushur e gati për të qëlluar.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›