E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në qendrën industriale, shkrumbohet fabrika

Autori i Lajmit: red.
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë në orët e para të së enjtes godinën e një fabrike përpunimi mishi në qendrën industriale. Ka qenë ora 01.10 e së enjtes kur zjarri ka përfshirë fabrikën e përpunimit të mishit Meat Master në Shkodër. Fabrika, më e madhja e këtij lloji në rajonin e Veriut, ndodhet në zonën industriale në lagjen “Skënderbeg”, mes një kompleksi fabrikash e biznesesh të tjera prodhuese. Roja i objektit ka konstatuar zjarrin në pjesën e fabrikës që ndodhet pranë rrugës, në të majtë të hyrjes për në korpusin kryesor të saj. Kjo pjesë ka pasur linjën e paketimit të nënprodukteve të mishit, magazinën dhe një dyqan shitjeje me shumicë. Roja ka shkuar me vrap tek reparti i zjarrfikëseve që ndodhet vetëm rreth 200 metra larg objektit dhe i ka lajmëruar ata. Mjetet zjarrëfikëse kanë ardhur shumë shpejt, por ndërkaq zjarri është përhapur në të gjithë objektin i favorizuar dhe nga materialet që ndodheshin në të. Flakët e zjarrit kanë qenë shumë të fuqishme duke rrezikuar dhe mjaft objekte përreth, ku vetëm 10 m larg është ndërtesa kryesore e fabrikës dhe magazinat e solarit, si dhe biznese të tjera të përpunimit të drurit, uzina e kabllove etj. Zjarrfikëset janë përqendruar tek lokalizimi i zjarrit duke mos lejuar që ai të përhapej në këto objekte që rrezikoheshin, ndërsa ka qenë e pamundur të shuanin shpejt zjarrin në vatrën e tij. Pas rreth katër orësh zjarri është shuar, pasi ka djegur gjithçka në objektin ku ka rënë. Nuk dihen akoma shkaqet e rënies së zjarrit në fabrikën më të madhe të përpunimit të mishit, e cila ka një aktivitet 15- vjeçar, por dyshohet të jetë ndonjë qark elektrik. Hetimet akoma nuk kanë dalë me një konkluzion, pasi pritet ftohja e objektit të djegur dhe shuarja e plotë e zjarrit, në mënyrë që të mos ketë riaktivizim të tij. Sipas rojeve të objekteve të tjera të bizneseve që ndodhen në zonën industriale 1, është dëgjuar një zhurmë në formë shpërthimi, por nuk dihet se çfarë ka qenë. Policia nuk e ka përjashtuar dhe pistën e zjarrvënies së qëllimshme.

Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›