E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas rënies së buxhetit, Edvini vihet në dilemën për të lënë bashkinë ose partinë

Deputetët demokratë theksojnë se seanca e buxhetit konfirmoi konceptin stalinist të Edvinit për votë, të cilën ose e blen, ose e vjedh duke bërë presion. Tashmë, ai është në fazën e dilemës hamletiane, për ta lënë apo jo bashkinë dhe për të kandiduar në zgjedhje, por pas 28 qershorit, ai do t’i humbë të dyja

TIRANE - Demokratët kanë sulmuar dje ashpër sjelljen e kryetarët të bashkisë së Tiranës, Edi Rama gjatë mbledhjes së fundit të këshillit bashkiak.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi dje në Kuvendin e Shqipërisë se, “Rama ka një koncept stalinist për votën të cilën kërkon ta blejë ose ta marrë nën presion”.
Duke e konsideruar buxhetin e mbetur pezull në bashkinë e Tiranës, si një temë parlamentare dhe  kombëtare, Patozi sqaroi se Tirana përfshin gati 1/3 e popullsisë së vendit, por ndërkohë ka mbetur pa buxhet për shkak të kryetarit të bashkisë së saj.
“Nuk dua të ndalem në perversitetin e dëshmuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës gjatë votimit të buxhetit, por në konceptin stalinist që Kryetari i opozitës ka për votën. Konceptin e Ramës 'ju votoni, unë numëroj', në një kohë kur po kërkojmë të shkojmë drejt zgjedhjeve me standardeve, duhet ta shikojmë si një kërcënim. Partia që po kërkon perfeksion në afatet dhe mënyrën e shpërndarjes së kartave të identitetit, ka këtë koncept stalinist për votën. Kjo votë po kërkohet për fat të keq me joshje dhe me dhunë, po blihet ose po fitohet me shantazh. Nuk dua të merrem me integritetin politik të atyre personave që shiten, pasi ky është një problem tjetër dhe ata janë viktima të blera apo shantazhuara, por dua të ndalem te kryetari i bashkisë që ka konceptin se vota ose blihet, ose merret nën presion”, tha Patozi. 
Sipas kreut të deputetëve demokratë me gjithë dilemën hamletiane të Edi Ramës, për ta lënë apo jo bashkinë dhe për të kandiduar në zgjedhje, pas 28 qershorit, për të nuk do të ketë më dilema, pasi do t’i humbë të dyja, edhe bashkinë edhe parlamentin.
“Dua t'i japë një këshillë miqësore kolegëve të opozitës që kanë nisur të numërojnë ditët deri në zgjedhje, që të mos e bëjnë më këtë sepse është qesharake, në një kohë kur nuk po nxjerrin dot programin se kanë frikë se po jua kopjojmë ne apo LSI”, përfundoi Patozi. Edhe Kryetarja e Kuvendit, njëherazi nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli e konsideroi si turp konceptin që ka Edi Rama për votën.
“Nëse ai vjen në Kuvend, do të ketë mundësi të shohë se si votohet buxheti i 5-të i PD-së dhe si numërohet vota. Nuk ka më, 'unë votoj dhe numëroj'. Pse, Edi Rama do të numëroj votat e shqiptarëve në 28 qershor?”, u shpreh kryeparlamentarja duke e konsideruar këtë
“një sjellje të turpshme dhe qesharake”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›