“Në votat për buxhetin Rama ka llogaritur edhe dy breshkat që mban në zyrën e tij”
Sipas kreut të LSI-së Ilir Meta, kryebashkiaku i Tiranës është përgjegjësi i vetëm për bllokimin e buxhetit
“Problemet e Tiranës, problemet konkrete, ato të Durrësit, ato të Korçës, ato të Beratit, ato janë probleme të cilat nuk kanë nevojë për t’u politizuar dhe nuk kanë të bëjnë me qëndrime të caktuara politike. Politizimi ekstrem i buxhetit të bashkisë vjen vetëm prej kryetarit të bashkisë së Tiranës i cili, për fat të keq, nuk arrin ende të ndajë funksionin e kryetarit të bashkisë dhe mënyrën e detyrimin se si duhet të sillet si kryetar bashkie me faktin që është kryetar i Partisë Socialiste dhe se si duhet të sillet për të realizuar aspiratat apo qëllimet politike të kësaj partie”
TIRANE – “Përgjegjës për bllokimin e projektbuxhetit të bashkisë së Tiranës është vetë Edi Rama për shkak se nuk ka ditur që të ndajë pozicionin e kryetarit të bashkisë nga ai
i Kryetarit të Partisë Socialiste”.
Kështu është shprehur dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta që hodhi poshtë akuzat e dy ditëve më parë të Ramës sipas së cilave qëndrimi i këshilltarëve të LSI ndaj planit të tij financiar ishte thellësisht politik.
Për projektbuxhetin
“Problemet që ne kemi me lidershipin e Partisë Socialiste, jo me Partinë Socialiste, që ju i dini që kanë qenë probleme që kanë pasur të bëjnë me çështjen e Kushtetutës, ku të jeni të sigurt që ne me Partinë Socialiste jemi në një qëndrim, por jo me lidershipin dhe ata që ngritën kartonët siç i donte Sali Berisha. Kanë qenë probleme që ne kemi pasur dhe kemi shfaqur me lidershipin e Partisë Socialiste për sa i takon Kodit Zgjedhor dhe sistemit zgjedhor. Janë edhe shumë probleme të tjera, që ne nuk i ngatërrojmë aspak me detyrimet që kemi si forcë politike për t’u shërbyer qytetarëve. Sepse, problemet e Tiranës, problemet konkrete, ato të Durrësit, ato të Korçës, ato të Beratit, ato janë probleme të cilat nuk kanë nevojë për t’u politizuar dhe nuk kanë të bëjnë me qëndrime të caktuara politike. Politizimi ekstrem i buxhetit të bashkisë vjen vetëm prej kryetarit të bashkisë së Tiranës i cili, për fat të keq, nuk arrin ende të ndajë funksionin e kryetarit të bashkisë dhe mënyrën e detyrimin se si duhet të sillet si kryetar bashkie me faktin që është kryetar i Partisë Socialiste dhe se si duhet të sillet për të realizuar aspiratat apo qëllimet politike të kësaj partie”, deklaroi Meta.
Lideri i LSI ka apeluar ndaj kryebashkiakut Rama që të reflektojë ndaj kritikave sidomos ato që kanë të bëjnë me reduktimin e shpenzimeve për administratën e jashtëzakonshme të bashkisë. I pyetur mbi faktin që Rama numëroi 29 vota pro gjatë procesit të votimit në Këshillin Bashkiak, kreu i LSI-së u përgjigj me ironi se “ndoshta, i kanë dalë 29 sepse ka pasur parasysh dhe dy breshkat që mban në zyrën e tij. Por, kjo përsëri nuk është shumë për tu shqetësuar, sepse ato nuk janë votuar nga qytetarët e Tiranës dhe nuk janë pjesë e Këshillit. Megjithatë, kjo është një çështje që i takon Kryetarit të Këshillit të Bashkisë dhe atyre, të cilët përgjigjen nga ligji për këtë çështje”, theksoi Meta.
Për G 99
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka reaguar dje edhe ndaj sulmet e ditëve të fundit nga drejtuesi i G 99-ës, Erion Veliaj. Meta tha se e mirëkupton shqetësimin e Veliajt për mosmiratimin e atij buxheti pa ndryshime. “Pasi buxhet pa ndryshime lë shumë vend për abuzime. Dhe, për fat të keq, G 99 është krijesë e abuzimeve të buxheteve të mëparshme të bashkisë së Tiranës. Po kështu, unë e kuptoj që kjo është një shoqatë e krijuar nga kryetari i bashkisë vetëm për të sharë LSI-në dhe për të kopjuar iniciativat e njohura të LSI, sikurse është e drejta e votës së emigrantëve apo çështje të tjera. Njëkohësisht, nuk i marrim seriozisht akuzat e Erionit të G 99 se Ilir Meta po i bën dëm qytetit të Tiranës, për arsye sepse kur unë isha në moshën e tij, drejtoja Shqipërinë dhe ndryshoja Tiranën”, deklaroi Meta.