Pas rezolutës, trojkë europiane në Tiranë
Në ditët e para të shkurtit pritet një ofensivë diplomatike e Perëndimit
Ndërkombëtarët pritet që të zbatojnë planin e tyre për të mbyllur krizën politike në Shqipëri në ditët e para të muajit shkurt. Siç mësohet nga burime diplomatike, pas miratimit më 27 janar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në lidhje me demokracinë në Shqipëri, një trojkë e lartë e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe OSBE-së, do të vijë në Tiranë për të dhënë mesazhin final që Shqipëria ka vetëm një rrugë: ose të zhbllokojë krizën, ose përndryshe të bllokohet integrimi europian. Pas miratimit të rezolutës së prezantuar nga finlandezi Jaakko Laakso dhe britaniku David Walshire, atëherë Komiteti i Ministrave të KiE-së, i cili drejtohet nga Zvicra, do të nisë një aksion politik për të vënë në jetë detyrimet që rezoluta kërkon për ndërmjetësimin e zgjidhjes së krizës në Shqipëri. Ndërkombëtarët pritet që të dërgojnë misionin e fundit për të zgjidhur krizën në vend, ku do të marrin pjesë tri organizma shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë, si Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Gjasat janë që këtë mision ta drejtojë kryetarja e radhës e Komitetit të Ministrave të KiE-së, aktualisht shefja e diplomacisë së Zvicrës, Federal Councillor, Micheline Calmy-Rey. Në delegacion pritet të marrin pjesë edhe një përfaqësues i Bashkimit Europian dhe OSBE-së, të cilët në ditët e para të shkurtit do të takohen me autoritetet e larta të shtetit dhe politikës shqiptare. Këshilli i Europës e drejton këtë mision pasi Shqipëria është anëtare e këtij organizmi dhe sipas kartës së KiE-së, ka detyrimet të zbatojë standardet e kërkuara. Ndërkaq, duke qenë edhe aspirant për t’u integruar për në BE, për të cilin ka detyrime të përcaktuara, Brukseli do të jetë pjesë e këtij misioni, ku siç mësohet do të marrë pjesë edhe OSBE-ja.
Më 27 janar, në orën 15:30, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të mbajë një seancë speciale për funksionimin e institucioneve demokratike në vend, si edhe zbatimin e standardeve të KE-së nga ana e Shqipërisë. Në këtë seancë do të prezantohet një projektrezolutë nga dy reporterët për Shqipërinë, përkatësisht finlandezi Jaakko Laakso dhe britaniku David Walshire. Asambleja do të debatojë dhe më në fund do e votojë rezolutën, e cila do të jetë edhe një kusht për Shqipërinë. Në tekstin e këtij dokumenti theksohet se “komuniteti ndërkombëtar nxit me forcë qeverinë shqiptare dhe opozitën t’i japë fund krizës aktuale dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të proceduar me reformat vitale. Qeveria duhet të ndërtojë pa u vonuar komisionin e hetimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 dhe opozita të rikthehet në Parlament e të kryejë funksionin e saj. Autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin një reformë legjislative, e cila duhet të jetë në bashkëpunim të plotë me Komisionin e Venecias.
#