Mërgim Hoxha mori pjesë në mbledhje
Fier
Kryepolici në Këshillin e Qarkut, protestojnë të majtët
Drejtori i policisë së Qarkut Fier, Mërgim Hoxha, ka marrë pjesë në mbledhjen e fundit të këshillit të qarkut. Prania e tij në mbledhje ka ngjallur mjaft reagime mes këshilltarëve, të cilët e kanë komentuar praninë e një drejtuesi të policisë si një presion që po ushtrohet mbi ta. Kryesisht këshilltarët e PS-së kanë thënë se shumë institucione me vartësi vertikale nga qeveria po përdorin Policinë e Shtetit për interesat e tyre. Madje, këshilltarët e majtë kanë bërë një peticion, të cilin do t’ia dërgojnë institucionit të Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në vendin tonë. Peticioni denoncon rastet e shumta kur Policia e Shtetit dhe drejtues të lartë të saj janë thërritur nga krerët e institucioneve të veçanta për të përmbushur interesat dhe qëllimet e tyre qofshin ato personale, por edhe institucionale. Këshilltarët e PS-së kanë shprehur interesin e tyre për praninë e përfaqësuesit të policisë, si dhe motivimin e tij në këtë mbledhje, por nuk kanë marrë përgjigje. Në fjalimin hapës të mbledhjes, kryetari i këshillit të qarkut, Luan Muçaj, ka falënderuar praninë e drejtorit të policisë, ndërsa prania drejtorit është justifikuar me një pyetje që atij i është bërë lidhur me arrestimin e mjaft uniformave blu të sektorit të qarkullimit. Për të justifikuar praninë e tij drejtori i policisë së qarkut është shprehur se arrestimi i policëve të qarkullimit nuk ka prapavijë politike, pasi hetimi për ta është bërë nga një sektor pranë qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme. Mes këshilltarëve të PD-së, PDI-së, PR-së, LSI-së etj., arrestimi i policëve të qarkullimit është komentuar si ngjarje me prapavijë politike brenda mazhorancës aktuale. Kujtojmë se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Patosit, mbledhje e thirrur nga prefekti i Fierit, ky i fundit ka hyrë në institucionin e bashkisë i shoqëruar jo nga vartës dhe këshilltarë, por nga tri uniforma blu.
#