Pas rrëzimit të buxhetit
Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, si dhe grupi i këshilltarëve të Partisë Socialiste në këshillin bashkiak janë në fazën e fundit të përpilimit të padisë, e cila është ngritur për vendimet e marra nga këshilltarët e PD-së dhe LSI-së lidhur me buxhetin e vitit 2010. Objekt i padisë janë jo vetëm vendimet e marra në dy mbledhjet e fundit të këshillit bashkiak, por edhe kryetari i këshillit, i cili sipas këshilltarëve të majtë, ka shkelur ligjin jo vetëm në zhvillimin e mbledhjeve, por edhe me fatin e vendimeve që janë marrë në to. Më konkretisht, kryetari i këshillit nuk ka zbardhur asnjë nga vendimet e marra, duke i lënë ato thjesht në formë presioni si shkak i numrit të kartonëve në sallën e mbledhjes. Lajmin e fazës së fundit të përpilimit të padisë e bënë të ditur për gazetën “Shqip” kryetari i Bashkisë së Fierit, Zeqaj, i cili thotë se gjatë dy mbledhjeve të fundit të këshillit bashkiak, këshilltarët e mazhorancës PD–LSI kanë miratuar të njëjtat vendime. “Më konkretisht edhe në mbledhjen e parë të muajit shkurt edhe në mbledhjen e radhës, atë të zhvilluar në fund të muajit mars, këshilltarët e PD-së dhe LSI-së, duke pasur edhe numrin e kartonëve kanë miratuar të njëjtin vendim, që sipas tyre ka qenë ligjor. Mua si titullar i bashkisë nga ku duhet të kalojnë të gjitha vendimet nuk më ka ardhur i zbardhur në mënyrë zyrtare asnjë prej tyre. Pikërisht kjo përbën shkelje të ligjit, veçanërisht nga kryetari i këshillit dhe pas tij edhe strukturat e tjera që varen pikërisht prej kryetarit të këshillit”, ka sqaruar për gazetën “Shqip”, kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj.
#