Qeveria penalizon Bashkinë e Tiranës
Qeveria nis penalizimet konkrete pas paralajmërimit ndaj Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej”. Dje, ekzekutivi ka intensifikuar sulmin ndaj institucionit që drejtohet nga lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama. Konkretisht, Ministria e Mjedisit, e cila drejtohet nga republikani Fatmir Mediu, ka gjobitur bashkinë, duke e akuzuar se nuk ka marrë lejen mjedisore për sheshin “Skënderbej”, ndërsa ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, ka dalë dje duke akuzuar bashkinë se nuk mund të punojë në një vend ku është “Monument Kulture” dhe për këtë do të duhet leja e posaçme nga Instituti me të njëjtin emër, që varet nga dikasteri që drejton Xhaferraj. Po në të njëjtën ditë, në një rrugë të kryeqytetit, ka dalë kreu i degës lokale të PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, i cili ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se po shpronëson në mënyrë të paligjshme qytetarët e kryeqytetit. Me një fjalë, e shtuna në prag të Pashkëve, ka shënuar pikën e lartë të sulmit qeveritar ndaj bashkisë, pikërisht dy ditë pas fjalimit të Kryeministrit, Sali Berisha, në sallën e Kuvendit, ku kërkonte mirëkuptim me kryebashkiakun Edi Rama, për projektin e sheshit “Skënderbej”. Pas këtij fjalimi, ministrat e zotit Berisha nuk kanë pritur përgjigjen e bashkisë, por kanë vepruar në mënyrë të menjëhershme.
MediuMinistria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ka gjobitur me 2 milionë lekë Bashkinë e Tiranës dhe urdhëroi dje pezullimin e punimeve për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, të nisura pak ditë më parë nga Bashkia e Tiranës, deri në pajisjen me lejen mjedisore përkatëse. Inspektorati i Mjedisit në këtë dikaster urdhëroi në emër të Ministrisë pezullimin e menjëhershëm të punimeve në sheshin “Skënderbej” për shkak të mungesës së lejes mjedisore. “Kjo veprimtari, në bazë të ligjit për mbrojtjen e mjedisit, duhet të pajiset me një leje mjedisi, por aktualisht është pa leje mjedisi”, tha kryeinspektori i Mjedisit, Ilir Bala. Në shkresën e Ministrisë së Mjedisit, thuhet gjithashtu se Bashkia e Tiranës është gjobitur në vlerën e 20 milionë lekëve të vjetra për këtë kundërvajtje. Inspektorët e këtij dikasteri do të nisin sot inspektimin në shesh.
XhaferriPas Mediut, Ferdinand Xhaferraj, ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve ka dalë dje kundër Bashkisë së Tiranës në lidhje me rikonstruktimin e sheshit “Skënderbej”. Në konferencën e djeshme për shtyp, ministri akuzoi bashkinë e drejtuar nga kreu i opozitës, Edi Rama, se nuk ka respektuar vendimet e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Sipas Xhaferrajt, “me shkresën nr. 160, prot. datë. 26.11.2008, të Institutit të Monumenteve të Kulturës, është informuar Bashkia Tiranë në lidhje me kushtet e miratimit të projektit. Ndryshimet e kërkuara janë: Të mos lejohet ndërtimi i dy ndërtesave përkatësisht në aksin e bulevardit “Zogu I” dhe midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë. Pendenca e sheshit të propozuar (pjerrësia) të mos kalojë 1%. Bashkia e Tiranës, me shkresën e dt. 27.4.2009, nr. 3888 prot, i kërkon Institutit të Monumenteve njohjen e vendimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Restaurimit të dt. 20.11.2008. Me shkresën e tij nr. 68 prot, datë 8.5.2009, Instituti i Monumenteve të Kulturës i ka kthyer përgjigje Bashkisë së Tiranës dhe pasi i ridërgon materialin, i kërkon 3 kopje të projektit me ndryshimet e reflektuara. Prej këtij momenti nuk ka asnjë përgjigje nga Bashkia e Tiranës.
Konkludoj se për sa kohë nuk ka një zbardhje të projektit të miratuar me ndryshimet e kërkuara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, projekti që po zbatohet në sheshin “Skënderbej”, nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është në kundërshtim me procedurat në fuqi”.
Në zbatim të VKM nr. 180, (që shpall aksin kryesor dhe qendrën historike si ansambël monument kulture) dhe ligjit 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore” (i ndryshuar), çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose në zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm.
#