E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: Qeveria po mban peng kryeqytetin

Reagon opozita

Konflikti për sheshin “Skënderbej” ka përfshirë edhe opozitën. Deputeti socialit i Tiranës, Ditmir Bushati, u prononcua dje rreth deklarimeve të ministrit të Kulturës për sa i përket bazës ligjore të fillimit të punimeve nga Bashkia e Tiranës. “Si deputet e përfaqësues i interesave legjitime të qytetarëve të Tiranës jam i informuar se Bashkia e Tiranës ka marrë edhe miratimin ligjor të Institutit të Monumenteve të Kulturës që megjithëse ministri e ka në varësi, nuk e ka marrë vesh akoma se edhe në këtë aspekt, projekti i sheshit është brenda kornizës së ligjit”, tha Bushati. Një ballafaqim administrativ në dukje, por që ka hyrë shumë shpejt në hullitë e një debati politik që po mbahet aktualisht me argumente ligjore. Deputeti socialist ka nënvizuar arbitraritetin e ndërhyrjes së qeverisë në procesin e rikonstruksionit të sheshit “Skënderbej”, duke e riprodhuar atë si një shkak më shumë për të protestuar kundër qeverisë. “Ky projekt transformues po tentohet të merret peng nga qeveria edhe për të larguar vëmendjen nga kriza e rëndë e keqqeverisjes, por në fakt kjo është një arsye më shumë për të protestuar më 30 prill”, tha deputeti socialist.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›