Lesi prezanton drejtoreshën e re të Turizmit
Zëvendësministri i Turizmit, Nikoll Lesi, prezantoi në detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Franka Palokën, e cila është një specialiste e turizmit që prej vitit 1994. Sipas një njoftimi për shtyp të MKTRS, emërimi u bë pasi zonja Nada Kallçiu dha dorëheqjen nga kjo detyrë dhe po me urdhër të ministrit u bë emërimi i zonjës Paloka”. Gjatë prezantimit të drejtoreshës së re, Lesi theksoi nevojën e një administrimi më të zhdërvjellët të punëve në Agjenci, si dhe të jenë me eficente në politikat e promovimit të turizmit shqiptar”. Gjithashtu, zëvendësministri theksoi se ka nevojë urgjente për disa amendime në ligjin në fuqi për turizmin, i cili nuk jep autoritet për të punuar ministrisë në mënyrë që të ofrojë sa më shumë investime në fushën e turizmit. Lesi, ndër të tjera kërkoi nga administrata e re e kësaj Agjencie të rëndësishme të Turizmit që të bëjë një testim të punës së secilit që është punësuar, pasi ka një pjesë jo të vogël të tyre, të cilët nuk janë në hapin e kohës e në raport me hapin e qeverisë. Prandaj - vazhdoi zv/ministri Lesi - ka nevojë edhe për një bashkërendim të punëve edhe me zyrat e shërbimit turistik në qarqe, të cilat sapo janë krijuar në sajë të ndryshimit të strukturës ligjore në turizëm. Lesi kërkoi që në Panairin e Turizmit në Berlin që zhvillohet pas një jave dhe në Panairin tjetër në Moskë të përdorim forma e metoda më efikase, pasi tregu rus dhe ai europian në veçanti mund të shtojë turistët që vijnë në vitet e fundit në Shqipëri.
#