Berisha niset në Kuvajt, te financuesit e sheshit
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, në kulmin e përplasjes për sheshin “Skënderbej” ka fluturuar për në Kuvajt City, në vendin ku janë dhënë paratë për financimin e rikonstruktimit të sheshit kryesor të Tiranës. Siç njofton zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave, “Kryeministri Berisha është nisur për një vizitë zyrtare në Kuvajt, me ftesë të Lartësisë së Tij, Kryeministrit të Kuvajtit, sheikut Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah”. Në këtë vizitë zyrtare, Kryeministri Berisha shoqërohet nga ministri i Financave, Ridvan Bode, nga ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, si dhe nga një përfaqësi e komunitetit të biznesit shqiptar. Kryeministri Berisha do të pritet në një ceremoni zyrtare nga Kryeministri i Kuvajtit, sheiku Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, me të cilin do të zhvillojë dhe një takim i cili do të pasohet edhe nga nënshkrimi i një marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve. Gjatë vizitës, Kryeministri Berisha do të takohet me Emirin e Kuvajtit, sheikun Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, si dhe me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi. Një pjesë e gjerë e axhendës së Kryeministrit Berisha do të jetë e fokusuar në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe me interesin e sipërmarrësve kuvajtianë për të investuar në Shqipëri. Gjatë takimeve pritet të nënshkruhen një seri marrëveshjesh të rëndësishme si konventa mes Shqipërisë dhe Kuvajtit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin; programi ekzekutiv për turizmin etj. Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me zotin Khalid Abdullah Al-Sager, drejtues pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, si dhe me zotin Abdulëahab Al-Bader, drejtor i përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab.
#