E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia: Kemi të gjitha lejet ligjore

“Qeveria të respektojë detyrimet, po sajon një konflikt si “Zogu i Zi”

Bashkia e Tiranës ka reaguar menjëherë pas sulmeve të qeverisë, duke i rrëzuar të gjitha argumentet. Bashkia e Tiranës kundërshton qëndrimet e Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Kulturës lidhur me pretendimet e dy ministrave për mungesë dokumentacioni në punimet për rikonstruksionin e sheshit.

Në një njoftim për shtyp, Bashkia e Tiranës, bën me dije se:
“Lidhur me keqkuptimin për aspektin mjedisor të projektit të sheshit ‘Skënderbej’, sqarojmë se: Në arkivin e Ministrisë së Mjedisit gjendet shkresa nr. prot. 2773, datë 20.03.2009.
Bashkangjitur shkresës, është relacioni përmbledhës i projektit, raporti i VNM-së (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis), dokumentacioni i procesit të konsultimit publik, si dhe fatura e pagesës së tarifës për lejen mjedisore. Pas një viti nga kjo kërkesë, Bashkia e Tiranës ka të drejtën të veprojë me parimin e miratimit të heshtur, ndërkohë që Ministrisë së Mjedisit i takon të zbardhë lejen përkatëse. Bashkia e Tiranës bën me dije se disponon dhe miratimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës për projektin e sheshit ‘Skënderbej’. Bashkia e Tiranës bën thirrje për dhënien fund të një konflikti të stisur, që ringjall praktikën e dënueshme të ‘Zogut të Zi’ në Qendër të Tiranës. Bashkia dhe qeveria duhet të kryejnë detyrat e tyre reciproke në interes të qytetarëve. Bashkia e Tiranës ka për detyrë të transformojë sheshin ‘Skënderbej’ në hapësirën më të bukur publike të vendit, dhe po e bën. Qeveria ka për detyrë të shpronësojë sa më shpejt godinën e INSIG-ut për hapjen e Unazës së Vogël dhe zgjidhjen e problemit të qarkullimit dhe duhet ta bëjë! Kryeqytetasve e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit u duhet Sheshi i Shekullit të ri e jo përsheshi i ri i politikës së vjetër”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›