Kryeministri Berisha takon komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sulejman Selimi
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtënant Sulejman Selimi. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për vizitën e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe vlerësimin më të madh për Forcën e Sigurisë, reformat e ndërmarra për konsolidimin e saj, duke e shndërruar atë në një faktor të rëndësishëm të paqes, sigurisë dhe integrimit të Kosovës në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kryeministri u shpreh me tej se i ndjek me shumë admirim zhvillimet e rëndësishme pozitive në Kosovë, konsolidimin e pavarësisë si dhe rolin e pozitiv që luan Kosova për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri Berisha e siguroi Komandantin e Forcës së Sigurisë se Kosovës së Shqipëria është e hapur për bashkëpunimin e ngushtë midis dy forcave tona, dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në konsolidimin e saj. Nga ana e tij, Komandanti i Forcës se Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtënant Sulejman Selimi shprehu kënaqësinë për pritjen dhe falënderoi për mbështetjen që Shqipëria dhe kryeministri kanë dhënë për Kosovën dhe institucionet e saj. Po ashtu, komandanti i FSK-së, Selimi, e njohu kryeministrin Berisha me reformat e ndërmarra për konsolidimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se në përbërje të saj ka rreth 8% nga minoritetet. “Kjo është një arritje e madhe”, - theksoi kryeministri Berisha. Më tej zoti Berisha u shpreh se është shumë rëndësishme që të parandalohet dhe shmanget çdo lloj provokacioni me të cilin synohet të errësohen arritjet e mëdha të Kosovës. Kryeministri Berisha i kërkoi komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtënant Selimi t’u dërgonte përshëndetjet e tij presidentit dhe kryeministrit të Kosovës dhe u shpreh se pret me kënaqësi vizitën e tij të ardhshme në Kosovë.
7 Shtator 2009