Pas takimit me qytetarët e Fierit, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp për mediat, në të cilën fillimisht bëri këtë deklaratë: "Së pari, dëshiroj të përshëndes ekip
Pas takimit me qytetarët e Fierit, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp për mediat, në të cilën fillimisht bëri këtë deklaratë:
"Së pari, dëshiroj të përshëndes ekipet e mediave lokale për punën e tyre të rëndësishme që bëjnë, krahas mediave kombëtare, për të informuar qytetarët e Fierit për zhvillimet brenda rrethit dhe zhvillimet në tërësi.
Së dyti, unë dëshiroj t'i siguroj qytetarët e Fierit se qeveria do të mbështesë zotin Ferdinand Murati dhe qeveritarët e tjerë vendorë të këtij rrethi, në të gjitha projektet, me të cilat zoti Murati synon të ndryshojë këtë qytet, ta zhvillojë atë, t'u shërbejë qytetarëve të Fierit me shërbimet e cilësisë më të mirë. Ne mbështesim plotësisht urbanizimin e plotë të qytetit, çka do të thotë asfaltimin e të gjitha rrugicave të tij. Zoti Murati, ju keni detyrimin e projektit, ne, qeveria, do të sjellë financimin për projektet e asfaltimit, ndërsa bashkia do të ketë detyrë mbjelljen e pemëve dhe gjelbërimi. Sepse, projekti gjelbërim asfaltim është një nga projektet më të rëndësishme për të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Ne zotohemi të garantojmë të gjitha financimet e nevojshme që, në klasat e këtij qyteti të mos ketë më shumë se 30 nxënës në klasë, të ndërtojmë shkolla të reja dhe të rikonstruktojmë ato ekzistuese, sikundër të shtrijmë internetin në çdo shkollë të qytetit dhe fshatrave të Fierit dhe të mbarë vendit. Ne, në projektet tona për Fierin, synojmë një qytet modern, një gjeneratorë të fuqishëm të zhvillimit të Myzeqesë dhe të Shqipërisë.
Infrastruktura ndërlidhëse e Fierit me Tiranën dhe Vlorën, do të jetë nga më modernet. Së përfundon dhe autostrada Lushnje – Fier. Unë sapo e vizitova atë dhe aty po bëhet një punë e shkëlqyer. Në 10 ditëshin e dytë të muajit shkurt inagurojmë segmentin tjetër të autostradës Fier-Vlorë. Nga mesi i vitit, janë siguruar financimet e plota dhe nisin punimet e bypas-it. Qyteti do të pajiset së shpejti me infrastrukturën më moderne, të denjë për çdo qytet evropian.
Fieri do të ketë parkun e tij industrial, në të cilën do të ketë mundësi të zhvillojë sipërmarrjen private me kushte të 1arta lehtësuese. Fieri, është rrethi në të cilin parashikohen investimet më të mëdha. Termocentrali gjigand me gaz parashikon një investim prej 2 miliardë dollarë. Naftësjellësi Ambo kalon nëpër Fier dhe përfundon në Vlorë. Dy termocentralet ekzistuese, këto ditë, qeveria vendos që t'i konçensionojë me 1 euro, me kusht që të vendoset teknologji moderne, si dhe kushte të tjera. Pra, projekte të mëdha janë të adresuara në këtë qytet.
Dua t'u them qytetarëve të Fierit se, në rast se qeveria ka një përqëndrim kaq të madh me projekte, shumë më i madh është përqëndrimi i saj në jetën e tyre të përditshme. Ne duam që ndryshimin e qeverisjes ta ndjejë çdo shqiptar. Ne u zotuam se do të luftojmë korrupsionin. Bëmë një luftë eficente kundër tij. Ia dolëm të shpëtojmë 600 milionë euro, me të cilat, në një vit, u rritën pensionet më shumë se në 15 vite, u rritën rrogat më shumë se asnjëherë tjetër në 15 vite. U ulën taksat për biznesmenët, si përqindje, më shumë se në çdo vend tjetër të botës. Po ashtu, po shkon drejt dyfishimit shpenzimi për arsimit, për shëndetësinë, do të rritet ndjeshëm ndihma ekonomike, do të ngrihet një sistem i tërë konviktesh për të krijuar mundësi reale për çdo fëmijë shqiptar që mbaron klasën e 9-të që të ndjekë shkollën e mesme, do të shumëfishohen bursat për fëmijët e familjeve në nevojë.
Pra, ndryshimi sjell ndryshimin dhe zgjeron shumë mundësitë dhe kapacitetet e qeverisë. Kemi dyfishuar grantin për qeverisjen vendore, do të shkojmë drejt trefishimit dhe katërfishimit të tij. Do t'u japim kryetarëve të bashkive dhe komunave mundësi të mëdha financiare, për të përmirësuar dhe lehtësuar jetën e komuniteteve që ata qeverisin.
Ne jemi angazhuar në një luftë me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe nuk e kemi bërë atë duke vendosur vula, apo duke shpallur një qytet apo një tjetër si kryeqytet të krimit. Jo! Krimi i organizuar ka qenë një realitet i shëmtuar nga Tropoja deri në Sarandë, kudo ai ka bërë ligjin, ka bërë ligjin në Tiranë, ku pjesën veriperëndimore e sundonte Nehat Kulla, krimi ka bërë ligjin në Durrës, e ka bërë ligjin në Fier, Lushnje, Berat.
Por ne jemi të zotuar ta shtypim atë dhe ta vendosim para ligjit, t'i ndjekim, t'i gjejmë kudo që ata të ndodhen, jashtë vendit dhe brenda tij, në jahte dhe në hotele luksoze, apo në shpellat e Alpeve. Ata kanë vetëm një fat, ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Ky është është qëndrimi ynë. Por me ketë qëndrim dhe me luftën kundër korrupsionit, jo vetëm që kemi lehtësuar jetën e cdo qytetari shqiptar, por kemi bërë që Shqipëria të ketë një emër tjetër. Nuk mund të mos rikujtoj që në rezolutën që miratoi Këshilli i Europës, institucioni parlamentar që mbledh së bashku parlamentarë të 42 vendeve anëtare. Në këtë rezolutë është e shkruar: Asambleja Parlamentare përshëndet luftën me zero tolerancë të qeverisë shqiptare ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve. Pra, kjo luftë ka marrë një vlerësim të madh ndërkombëtar. Ko luftë bëri të mundur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kjo luftë bëri të mundur nënshkrimin e marrëveshjes së Sfidës Mijëvjecare, kjo luftë bëri të mundur që nga Samiti i Rigës, Shqipëria të marrë një mesazh historik pozitiv.
Ndaj i ftoj qytetarët e Fierit të votojnë për koalicionin, të votojnë për kandidatin e këtij koalicioni të madh. Ata nuk i lidh gjë me koalicionin e ciflitur. Në Fier, Berat, kudo që ata shkojnë, duket një koalicion i ciflosur në të katër anët. Ata janë bashkuar për të ndarë humbjen. Aty ka si Rama senior edhe Rama junior dhe ata nuk kanë pasur asnjë qëllim tjetër vecse të mbrohen nga njerëzit e tyre, për shkak të disfatës së thellë, që të thonë se fajin e pati Rama senior, ose ky i fundit t'u thotë se fajin e pati Rama junior. Por le ti lëmë ata të kapardisen në humbjen e tyre.
Le të bëjmë zgjedhjet më të lira, më të ndershme, në mënyrë që qytetarët e Fierit dhe të mbarë Shqipërisë të votojnë me dinjitetin që meritojnë. Unë ju jap fjalën se do të vazhdojmë me forca të shumëfishuara reformat që clirojnë energji enorme. Vetëm reforma e legalizimit cliron në Shqipëri së paku 5 miliardë euro pasuri, të cilat futen në treg. Vetëm reforma e legalizimit dyfishon brenda një kohe rekord, potencialin kolateral dhe kredimarrës të qytetarëve. Vetëm kjo reformë fuqizon tregun fuqishëm, pa u ndalur këtu në privatizimin, koncesionet. Ne miratuam një ligj të mrekullueshëm të partneritet publik privat, me të cilin kryebashkiakët e vendit do të mund të tre-katërfishojnë punët publike, duke bashkëpunuar me sektorin privat.
Pra, premtimet tona janë shndërruar në realitet. Projektet tona do të jenë realitet. Ndaj, edhe njëherë, duke i përshëndetur shumë përzemërsisht qytetarët e Fierit, e Myzeqesë, të të gjitha komunave dhe bashkive të këtij rrethi, unë ju bëj thirrje të vazhdojmë së bashku. Në 18 shkurt të votojmë kandidatët e koalicionit dhe i siguroj se Sali Berisha dhe qeveria që ai kryeson do të qëndrojë pas cdo projekti të tyre për të ndryshuar jetën e tyre. Faleminderit.
Pyetje: Ju flisni për projekte të mëdha në Fier, por sa është ne vëmendjen e qeverisë mbrojtja e ambientit, nga zbatimi i këtyre projekteve, duke patur parasysh se Fieri njihet si qytet me ndotje të mëdha?
Kryeministri Berisha: Ka projekte speciale për mbrojtjen e ambientit. Të gjitha instalimet që do të bëhen do të jenë të teknologjisë së fundit, me kushtin më kryesor mbrojtjen e mjedisit. Kompani të naftës absolutisht do të detyrohet të respektojnë standarde krejtësisht të tjera, në raport me mjedisin. Unë qëndroj fuqishëm pas kësaj pikëpamje. Ndryshime rrënjësore do të ketë në rafineri. Nafta jonë është naftë e rëndë. Do një përpunim tërësisht më cilësor, në mënyrë që të mos jetë një faktor i dëmshëm për shëndetin e qytetarëve. Puset duan kritere dhe trajtim tërësisht tjetër. Mbrojtja e mjedisit këtu në Fier, por edhe në qytete të tjera si Tirana, që është edhe ajo qyteti më i ndotur i Europës, 8 herë më i ndotur se kryeqytetet e tjera evropiane, me një rritje të lemerishme në incidencës së kancerit tek gratë e reja, për shkak të lëndëve kancerogjene që marrin nga ajri, do të jetë një përparësi madhore.
Pyetje: Ju thatë se do të jepen me koncesion një euro TEC-et ekzistuese. A ka interesa të shprehura?
Kryeministri Berisha: Ka interesa të shprehura, por kjo do të jetë një procedurë e plotë transparente. Nisma një euro është e konkretizuar dhe e stimuluar në ligjin e partneritetit publik privat dhe procedura e dhënies do të bëhet me transparenncë të plotë, siç duhet për koncesionet.
Pyetje: Cfarë përfitojmë ne duke i dhënë këto TEC-e për një euro?
Kryeministri Berisha: Përfitohen kushtet e kontratës. Domethënë, vërtetë jepet objekti me 1 euro, por kompanisë i kërkon kushtet teknologjike, i kërkon kohen e futjes në funksion, i kërkon mënyrën e punës. Kompanitë private që investojnë në energji kanë një kusht; duhet marrëveshja e blerjes afatgjatë të energjisë. Sepse ndryshe nuk mund të investojnë. Edhe në marrëveshjen e blerjes afatgjatë të energjisë nuk janë të njëjtat kushtet aty ku është nisma një euro dhe aty ku është i tërë investim privat. Pra, janë kondicionalitete të tjera nëpërmjet të cilave përfiton Fieri dhe mbarë ky rreth.
Pyetje: A ka ndonjë klasifikimi në afatet se kur fillon funksionimi i paketës 1 euro për TEC-et?
Kryeministri Berisha: Së pari, duhet të kompletohet procedura dhe cështja e funksionimit të tyre, është cështje e negocimit, e përfshirjes në faza. Sigurisht, ai që zotohet se do ta verë në funksion brenda 6 muajve me këtë teknologji, në raport me një tjetër që thotë që e vendos pas 2 vitesh, po me këtë teknologji, ka përparësi.
Pyetje: Kryetari i bashkisë aktuale në Fier është shprehur se qeveria i ka përgjysmuar fondet për pushtetin vendor në Fier. Sa e vërtetë është kjo?
Kryeministri Berisha: Këto janë trillime të një qeveritari vendor të dështuar, me afat të skaduar prej kohësh. Kaq mund t'ju them për të. Ai të mos përdorë mediat për mashtrim, por të shkojë të takojë qytetarët dhe të tregojë se ku i ka cuar cdo qindarkë që u ka marrë atyre. Përkundrazi. Ne tani nisëm autostradën Fier-Vlorë, ne tani nënshkruam kontratën financiare për bypes-in e Fierit, për kanalizimet, për shkollat. E vërteta është se fondet janë shumëfishuar.