SHBA: Shqipëria hyn në NATO në prill të vitit 2009
Ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështjet e Evropës dhe Euro-Azisë, Daniel Fried, ka deklaruar se "Shqipëria dhe Kroacia me këtë ritëm reformash do të bëhen anëtare me të drejta të plota në NATO brenda muajit prill të vitit 2009". Fried e ka bërë këtë deklaratë një ditë më parë, gjatë seancës dëgjimore, organizuar nga Nënkomiteti për Çështjet e Evropës pranë Komitetit të Politikës së Jashtme së Dhomës së Përfaqësuesve, Uashington D.C, e cila u mbajt në Kongresin e SHBA-së. Në fjalën e tij, Fried bëri një pasqyrë të qëndrimeve të qeverisë amerikane në kuadër të politikave të NATO-s, duke u përqendruar në operacionet kyç të aleancës në Afganistan, Irak dhe Kosovë, zgjerimin e NATO-s dhe Politika e Dyerve të Hapura. Ndihmëssekretari i Shtetit, Fried, duke u ndalur në marrjen e ftesës për anëtarësim të plotë në NATO nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë, tha se "të dyja vendet kanë forcuar demokracinë dhe kanë arritur një stabilitet të brendshëm. Sipas tij, Shqipëria dhe Kroacia janë tashmë kontribuues të vlefshëm të misioneve të NATO-s. Duke folur në seancë, kongresmeni Xho Uillson tha se kishte dëgjuar përpara shumë vitesh "Radio Tiranën" dhe se sot ishte i impresionuar që Shqipëria nga një vend i izoluar "maoist", përkrah gjerësisht anëtarësimin në NATO. Fried, pasi sqaroi procedurat postftesë të ratifikimeve dhe vazhdimit të bisedimeve politiko-teknike, deklaroi se kjo procedurë mund të zgjasë një vit, apo diçka më shumë. Por, ai shprehu bindjen se "Shqipëria dhe Kroacia, me këtë ritëm reformash do të bëhen anëtare të Aleancës brenda një viti, pra në prill 2009".