Rama: Bashkimi përtej kufijve të partive politike
Kryesocialisti Edi Rama vijoi turin e "Dialogut me Shqipërinë" me një ndalesë në Velipojë. Lideri i opozitës vuri theksin te mungesa e të ardhurave ekonomike, që janë rrjedhojë e një papunësie kilometrike. Rama kërkoi që t‘i jepet fund kësaj politike të vjetër, që është në duart e klaneve dhe interesave të ngushta, në mënyrë që e ardhmja e fëmijëve të jetë më e mirë se sa kjo e sotmja. "Është e dyta herë në fakt që jam këtu. Mund të them se Velipoja është një zonë, që si pjesa më e madhe e Shqipërisë, dhe pse jo si gjithë Shqipëria, është realisht plot bukuri e plot mundësi", tha Rama. Ai shtoi se "për fat të keq, sot e gjithë ditën, edhe pse jetojmë në një vend që është ndër të pasurit me burime ujore, ne nuk jemi në gjendje të vadisim tokat tona, nuk jemi në gjendje të shuajmë etjen e fëmijëve të fëmijëve dhe të moshuarve, nuk jemi në gjendje të çojmë ujin në plot e plot familje shqiptare". "Kjo, nënvizoi Rama, nuk është rezultat i mungesës së ujit, por është rezultat i mungesës së qeverisjes, është rezultat i mungesës së një politike të njerëzve, të një politike për njerëzit". "Kjo është rezultat i një politike të vjetër, që për 17 vjet na ka dhënë kaq shumë zhgënjime, duke krijuar kaq shumë dështime, ku janë plot shembuj të tjerë, që gjithsecili i jeton përditë", vlerësoi Rama. Sipas tij, sot është koha që ne t‘i japim politikës një kuptim të ri, është koha që ne ta bëjmë politikën hapësirë ku të gjithë shqiptaret e shqiptarët që duan ta ndryshojnë jetën e tyre, jetën e familjeve të tyre. Kreu i PS-së tha se është koha për të kuptuar se politika nuk është as diçka e keqe, as diçka e shëmtuar, as diçka prej së cilës duhet të rrimë larg. "Se politika është mundësia që kemi për t‘u bashkuar, në emër të disa qëllimeve të përbashkëta përmes të cilave mund të realizojmë interesat tona dhe të familjeve tona, interesat tona si qytetarë të këtij vendi, që është atdheu ynë dhe nga ku ne nuk duhet të largohemi në rast se duam t‘ju japim fëmijëve tanë një të ardhme këtu, në atdheun e tyre", këmbënguli Rama.