Rikthehet për gjykim dosja e tre vëllezërve për vrasje të dyfishtë
KRUJE - Kthehet për rigjykim në Gjykatën e Durrësit dosja e tre vëllezërve të akuzuar për vrasje të dyfishtë. Bëhet fjalë për Arben, David dhe Kastriot Gjokea nga fshati Derven i Krujës, të cilët më 18 maj 2005 vranë në fshatin Gjuricaj të Ishmit dy kushërinjtë, Eduart dhe Oligert Gjokea, 22 dhe 13 vjeç, si dhe plagosën babanë e Eduartit, Simon Gjokea. Gjatë seancës së parë, Gjykata e Durrësit hodhi poshtë epikrizën e mjekut neurolog të Krujës, Rifat Daci i cili pa komisionin përkatës është shprehur në një raport mjeko-ligjor se Arben Gjokea kishte probleme me shëndetin mendor dhe se ishte i papërgjegjshëm. Vrasja ndërmjet kushërinjve pati si motiv hakmarrjen për vëllain e vrarë të të dënuarve, Palush Gjokea. Pas këtij krimi, Gjykata e Durrësit dënoi në vitin 2006 me burg të përjetshëm Arben dhe David Gjokenë, për veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese, kundër dy ose më shumë personave në bashkëpunim” dhe “armëmbajtjes pa leje”, si dhe 21 vite burg për vëllain e tyre, Kastriot Gjokea. Ky i fundit u arrestua pas krimit, ndërsa Arben Gjokea u ekstradua nga Italia më 13 nëntor 2008, ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Autori i tretë i vrasjes së dyfishtë, David Gjokea është në kërkim. Pas apelimit të vendimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit e ktheu çështjen për rigjykim me argumentin se Davit Gjokesë, njërit nga 10 më të kërkuarit të vendin tonë nuk i ishte dërguar shkresë zyrtare për të ardhur në gjyq si i pandehur. r.n