E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentoi të vrasë,pranga 17-vjeçarit

 

KUKES - Tenton të hakmerret për babanë e vrarë, përfundon në pranga 17-vjeçari. Policia e Kukësit bëri të ditur se dje u arrestua adoleshenti me inicialet I.A, nga fshati Orgjost. Ai tentoi të vrasë me armë zjarri bashkëfshatarin e tij 21 vjeç, Mirjan Ibra. Mësohet se të rinjtë ishin konfliktuar me njëri –tjetrin disa ditë më parë. Më pas, 17-vjeçari, nxënës në gjimnazin e komunës Zapod, ka marrë një armë me qëllim për të vrarë bashkëfshatarin e tij. Policia e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti në ambientet e shkollës dhe prangosi adoleshentin të cilit iu kap edhe arma automatike e krimit të mundshëm. Pas hetimeve paraprake rezultoi se 21-vjeçari e kishte rrahur pak ditë më parë gjimnazistin pas një konflikti që kishin patur. Familjet e tyre ishin në hasmëri, pasi babai i 17–vjeçarit ishte vrarë disa vite më parë nga i ati i Ibrës. Sipas policisë, i riu u akuzua për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje. Pas ngjarjes policia tha se shkak ishte zënka mes të rinjve dhe jo hakmarrja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›