E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohej për plagosje, pranga “ushtarit” të Lul Berishës

 

DURRES - Bie në pranga një i shumëkërkuar, i dyshuar si pjesëtar i bandës së Durrësit. Operacioni i koduar “Dara” është finalizuar me arrestimin e 30-vjeçarit Edmond Koçi, i njohur në qytetin bregdetar me pseudonimin “Mond çekiçi”. Arrestimi i tij është mundësuar nga bashkëveprimi i RENEA-s me policinë e Durrësit. Disa policë të veshur civilë janë futur në mjediset e një pike bastesh ku ndodhej Koçi, ndërsa lokali u rrethua nga forca të shumta policie. Rreth orës 23:45, specialët i kanë kërkuar të shumëkërkuarit të dorëzohej. Ai bëri rezistencë, duke i drejtuar armën një prej efektivëve në aksion, por u arrit të neutralizohej në çast. Pas verifikimeve rezultoi se pistoleta e prodhimit kinez “model 54” që Koçi mbante në brez kishte 8 fishekë në krehër dhe 1 në gojë. Mbi 30-vjeçarin rëndon akuza e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, pasi 2 vjet më parë ka qëlluar me pistoletë shtetasin Kastriot Lamçe, i cili u plagos rëndë. Gjykata e Faktit në Durrës, me datë 2 shkurt 2007 ka marrë ndaj tij masën e sigurisë “burg pa afat”. Nga Policia e Durrësit ai njihet si person i afërt i bandës së Durrësit dhe i kreut të saj, Lul Berisha. Nga hetimet që janë kryer mbi bandën e Spitallës, emri i Koçit është lakuar si përkrahës në aksionet e kryera, duke u bërë pjesë e dyshuar e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›