Pas varrimit të vëllezërve Pjetrushi, frika nga hakmarrja
Ceremonia mortore është zhvilluar ditën e djeshme, pasi pritej ardhja nga Amerika e Prel Pjetrushit. Nëna e viktimave qe në Greqi te djali i saj tjetër.
SHKODËR “Një fatkeqësi e madhe, por dhe që mund të pasohet nga të tjera”. Kështu shprehen nën zë pjesëmarrës në ceremoninë mortore të dy vëllezërve Pjetrushi, të vrarë mëngjesin e së premtes në fshatin Grudë e Re, nga Admir Tafili për gjakmarrje. Nisur nga ajo çfarë mësohet, se i arrestuari në Tiranë Admir Tafili ka pohuar, duket se qëllimi i vetëm i jetës së tij pas 2 gushtit 2000 ka qenë hakmarrja për babanë e vrarë në operacionin e policisë, ku u vra dhe drejtori i policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.
Varrimi
Në familjen Pjetrushi, ku Prela ka mbërritur të shtunën për të marrë pjesë në varrimin e dy vëllezërve, askush nuk flet për ngjarjen dhe as lejojnë që mediat të ndërhyjnë në atë që u ka ndodhur. Të njohurit tregojnë se fillimisht i kanë thënë babait të viktimave se u kishte ndodhur aksident, më pas do u tregohej e vërteta se i kanë vrarë. Ditën e ngjarjes, tregojnë të njohur, dy vëllezërit janë nisur bashkë për në punë, pasi makina e Gjovalinit nuk është ndezur. Të dy kanë pasur në trup sasi të mëdha plumbash dhe pse nuk kishin bërë asgjë, vetëm ishin vëllezërit e një ish-oficieri policie. Për të njohur të familjes Pjetrushi kjo ngjarje vështirë të mbyllet me kaq dhe do ketë të tjera pasoja. Në familjen Tafili ka vetëm dy nuse dhe fëmijët e tyre, ndërsa nëna e Admir Tafilit ndodhet në Greqi te djali që ka atje. Ato i ruan një patrullë policie, por kjo jo gjithmonë, ndërsa gratë shprehen se ndihen të frikësuara nga një hakmarrje që mund të mos përjashtojë as fëmijët e as ato vetë.
Pretendimi i familjes
Familja Tafili gjatë këtyre gati 11 viteve ka akuzuar për këtë ngjarje shtetin dhe strukturat e policisë, që sipas saj e futën në kurth kolonelin e vrarë dhe për këtë bënë viktimë familjen Tafili. Përtej mistereve të ngjarjes së 2 gushtit 2000 dhe asaj që familja Tafili e quan indiferencë të qëllimshme, ka vendosur vetëgjyqësia.
Admir Tafili, që në kohën e vrasjes së babait të tij ndodhej jashtë Shqipërisë, kthehet dhe më 21dhjetor 2001 qëllon për të vrarë Prel Pjetrushin, oficer policie në Shkodër, pjesëmarrës në operacionin e 2 gushtit 2000, ku sipas dëshmive të dhëna në gjykatë nga Genc Tafili në 14 seancat gjyqësore që e dënuan atë fillimisht me 20 vjet burg e pas apelimit me 25 vjet burgim, ka qenë Prel Pjetrushi personi që e ka vrarë Bahri Tafilin, kur ishte i dorëzuar dhe ka dashur ta vrarë dhe atë (Gencin). Prel Pjetrushi plagoset rëndë nga Admir Tafili dhe arrin të shpëtojë, ndonëse me disa plagë në trup. Më pas ai largohet familjarisht në SHBA. Admir Tafili kapet nga forcat speciale me 2 korrik 2002 dhe dënohet me burg për plagosjen e rëndë të Prel Pjetrushit. Më 2 tetor 2010, ndërsa merr një leje disaorëshe për të vizituar familjen, ai u ikën 8 policëve që e ruanin dhe nuk kapet dot, derisa më 18 mars të këtij viti realizon vrasjen e dy vëllezërve Pjetrushi, duke deklaruar më pas se ka marrë gjakun e babait.
djana kolaj
Gjykata
Burg pa afat për Tafilin
për armëmbajtje pa leje
Tiranë Nën masa të rrepta sigurie, Admir Tafili është dërguar dje në Gjykatën e Tiranës për t’u përballur me masën e sigurisë vetëm për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Tafili i arratisur nga burgu në tetor të vitit të shkuar, tashmë i akuzuar edhe për një vrasje të dyfishtë është marrë dje në dorëzim nga forcat speciale të RENEA-s. Një skuadër e posaçme ka rrethuar Gjykatën e Tiranës dhe ka qëndruar në gjendje gatishmërie deri në përfundim të masës së sigurisë ndaj tmerrit të Shkodrës, i cili arriti t’u shpëtojë policëve të burgjeve që e shoqëronin sapo iu dha rasti. Burime pranë Gjykatës së Tiranës thanë se përfaqësuesi i akuzës kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Tafilit për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake, pasi në momentin e arrestimit, policia i sekuestroi një armë tip pistoletë të cilën e mbante pa leje. Kërkesa e prokurorisë u pranua edhe nga Gjykata, e cila vendosi të lërë në qeli të akuzuarin për një sërë krimesh të rënda, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së ndodhur tre ditë më parë në fshatin Grudë të Shkodrës. Admir Tafili, personazhi tashmë i njohur në dosjet e drejtësisë pranoi vrasjen e dy vëllzerve Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, duke thënë se kishte marrë gjakun e babait. Menjëherë pas përfundimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës, Admir Tafili, i shoqëruar nga forcat RENEA u transportua drejt Shkodrës ku do të përballet me akuzën e vrasjes së dyfishtë dhe largim nga vendi i vuajtjes së dënimit. Deri në tetor të vitit të shkuar Admir Tafili kishte një dënim prej 25 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes së ish-drejtorit të policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, ndërsa tashmë do të akuzohet edhe për vrasjen e dyfishtë të ndodhur pak ditë më parë në Shkodër.