E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasës me pagesë për ekzekutimin e trefishtë

SHKRUAN: Fatos Salliu 21-03-2011 14:53

Dyshimi për hakmarrje, pasi i kërkuari Andon Mahmutaj akuzohet për vrasje në Itali dhe Spanjë, por edhe për tentativën e vrasjes së djalit të një biznesmeni elbasanas

ELBASAN Policia e Elbasanit është vënë në kërkim të autorit, i cili dy ditë më parë ekzekutoi tre pjesëtarët e familjes Mahmutaj në Elbasan. Gjatë 24 orëve të fundit, uniformat blu të këtij qyteti kanë shoqëruar për në komisarit disa shtetas, të cilët janë marrë në pyetje. Ndërkohë, në rrugët nacionale dhe në akset kryesore rrugore, janë ngritur postblloqe me synim kapjen e autorit. Mëngjesin e së shtunës, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar Emin Mahmutaj, 82 vjeç, dhe djemtë e tij, Xhelal Mahmutaj 47 vjeç dhe Pëllumb Mahmutaj 37 vjeç.

Kërkimi

Policia ka vënë në dispozicion 50 mijë USD, për identifikimin e vrasësit, por ndërkohë duket se kjo është praktikisht e parealizueshme, pasi ai është i paidentifikuar nga vetë policia, e cila nuk ka dhënë as foto, identike apo të dhëna për autorin. E mbijetuara, Myzejen Mahmutaj, ka pohuar se personi që ka hyrë në shtëpi ka qenë i dobët dhe me një gjatësi 1.70 m, por pa dhënë detaje të tjera, pasi ajo nuk ka pasur mundësi që ta fiksonte personin. Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, Valbona Begu, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes, pasi një nga djemtë e Emin Mahmutajt, Andon Mahmutaj, i mbiquajtur Zenel Mahmutaj, akuzohet se ka kryer vepra penale në Itali dhe Spanjë. Në të njëjtën kohë, ai akuzohet se është autor i atentatit të organizuar ndaj djalit të një biznesmeni në lagjen ku banonte A. Bahushit. Për këtë arsye, Andon Mahmutaj është shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Hetimi

Hetimet paraprake të çështjes bëjnë me dije se eliminimi i familjes Mahmutaj është studiuar më parë. Nuk përjashtohet mundësia që vrasja të jetë kryer me pagesë, e porositur nga persona të tjerë. Edhe pse po zhvillohen hetime intensive, policia ende nuk ka identifikuar autorin, ndonëse në një komunikatë të saj theksoi se një nga autorët e mundshëm mund të jenë edhe persona, të cilët kanë pasur konflikte të drejtpërdrejta me Zenel Mahmutajn. Dje janë përcjellë për në banesën e fundit tre pjesëtarët e familjes Mahmutaj, Emin Mahmutaj 82 vjeç dhe djemtë e tij, Xhelal Mahmutaj 47 vjeç dhe Pëllumb Mahmutaj 37 vjeç. Riti mortor është survejuar nga polica.

E mbijetuara

Në gjendje të rëndë për jetën vazhdon të jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, Myzejen Qosja, gruaja me të cilën bashkëjetonte Pëllumb Mahmutaj. Gjatë marrjes në pyetje, gruaja ka treguar se personi ishte me maskë në fytyrë. Qosja u qëllua me dy plumba, por një plumb ia hoqën në spitalin e Elbasanit ndërsa më pas ajo u dërgua në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Ajo është qëlluar me një plumb në pjesën e djathtë të kokës, në pjesën sipër veshit dhe fatmirësisht nuk i ka prekur trurin. Ndërsa për arsye sigurie, dhoma e saj në spital ruhet nga një efektiv policie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›