E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot paradite, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në qytetin e Kukësit, ku fillimisht u ndal në një takim me banorët e këtij qyteti. Në përshëndetjen e tij për qytetarët, Kryeministr

Sot paradite, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në qytetin e Kukësit, ku fillimisht u ndal në një takim me banorët e këtij qyteti. Në përshëndetjen e tij për qytetarët, Kryeministri u shpreh:

"Dëshiroj të përulem me nderim të thellë dhe mirënjohje të pakufishme ndaj jush, qytetarëve të Kuksit dhe të gjithë banorëve të këtij rrethi, qytetarëve të Hasit, të Krumës, të Bajram Currit dhe të gjithë banorëve të Tropojës, për mbështetjen e pakufishme dhe për qëndrimin tuaj të palëkundur, në mbështetje të demokracisë dhe vlerave të saj.

Gjithashtu, unë zotohem sot para jush, se do të mbështes plotësisht, me çdo mjet financiar dhe mjete të tjera, kryetarin tuaj të ardhshëm të bashkisë, zotin Hasan Halilaj dhe të gjithë kryetarët e komunave të këtij rreth, do të mbështes zotin Preka dhe të gjithë kryetarët e komunave të Hasit, do të mbështes zotin Ahmetaj dhe të gjithë kryetarët e komunave të Tropojës, në çdo projekt që ata duan të zbatojnë për të lehtësuar jetën tuaj, për të përmirësuar shërbimet ndaj jush, për të krijuar vende pune për ju, për të shkolluar fëmijët tuaj në shkolla moderne, për të asfaltuar rrugët tuaja, për të krijuar mundësi që ju të shisni prodhimet tuaja. Ndaj vëllazërisht ju ftoj të vazhdojmë së bashku.

18 shkurti është një ditë e madhe, ditë në të cilën ju vazhdoni të votoni për vlerat që ju mbroni, votoni për duart e pastra dhe qeverisjen me duar të pastra. Votoni për luftën kundër kriminalitetit, për sigurinë tuaj dhe të fëmijëve tuaj, të rrugëve, shesheve, qyteteve dhe fshatrave tona, votoni për rritjen e rrogave dhe të pensioneve të qytetarëve të Kuksit dhe të mbarë Shqipërisë, për modernizimin e shkollave të fëmijëve tuaj.

Në 18 shkurt, ju do të votoni që Shqipëria dhe Kukësi të ecin të sigurt drejt Europës, të shkojnë drejt integrimit në Bashkimin Europian, votoni që Shqipëria të marrë ftesën si kandidat për t'u anëtarësuar në NATO, në Samitin e ardhshëm. Në 18 shkurt, ju votoni për të konsoliduar arritjet e këtyre 16 muajve, të cilat sot i prek çdo pensionist, i prek çdo punonjës, çdo arsimtar, çdo infermier, i prek rinia shqiptare që i ka përfundimisht të hapura dyert e universiteteve, i prekin shqiptarët që ndihen më afër Europës.

Ne së bashku, sot, inagurojmë fillimin e punimeve të tunelit më të gjatë në Ballkan, tuneli që shkurton rrugën e Kukësit me Tiranën, që afron Prishtinën me Tiranën. Unë ju garantoj se autostrada, tuneli dhe veprat e mëdha publike nuk na ulin vëmendjen për të parë hallet e secilit prej jush, për të parë rrugicat tuaja, sheshet e qyteteve dhe të fshatrave tuaja. Ndaj edhe unë dua t'ju garantoj se në projektin e 6 mijë kilometrave rrugë do të përfshihen edhe qindra kilometra të qarkut tuaj. Sikundër dua t'u premtoj banorëve të Hasit se këtë vit shteti financon tërësisht rrugën Krumë-Qafë Prush.

Viti që kaloi dhe ky që ka hyrë është ndër më të thatët në histori. Por unë ju jap fjalën që, shumë shpejt, do të vijë dita që ne nuk do të varemi më nga thatësira, do të ndërtojmë burime të tjera të fuqishme energjetike në mbarë vendin dhe qytetarët e Kukësit, qytetarët e Shqipërisë, do të kenë 24 orë drita.

Në 18 shkurt, ju bëj thirrje të votoni si qytetarë të lirë, në respekt të plotë ndaj njëri-tjetrit. Le të zhvillojmë në 18 shkurt zgjedhjet më të lira dhe më të mira në historinë tonë. Votoni kandidatin e koalicionit më të madh që Shqipëria ka patur në historinë e saj. Faleminderit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›