E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas vizitës në SHBA, Meta: Ligji i SHISH do të rishikohet

Qëndrimi “Në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë”

Projektligji i ri për shërbimet sekrete do të konsultohet me NATO-n dhe BE-në. Drafti aktual i propozuar nga qeveria do të rishikohet apo më saktë do të asistohet nga partnerët e Shqipërisë, në mënyrë që ligji i ri të pasqyrojë standardet më të larta për një vend anëtar të aleancës. I sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numri dy i qeverisë, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, ka informuar mbi tërheqjen e ekzekutivit rreth kësaj çështjeje, që provokoi madje edhe një reagim të posaçëm të Ambasadës Amerikane në Tiranë. “...ligji aktual është një ligj i vjetër, ndërkohë që ka ndryshime shumë të rëndësishme...natyrisht që ka nevojë për një rishikim, apo edhe për një përmirësim të tij. Sigurisht që kjo do të bëhet në konsultim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë, në radhë të parë me BE ku duam të anëtarësohemi, dhe me NATO-n ku jemi anëtarë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Shqipërisë. Më shumë sesa një shenjë mirëkuptimi për shqetësimet e ngritura nga opozita rreth kësaj çështjeje, prononcimi i djeshëm i qeverisë shqiptare, përmes numrit dy të saj zbulon ndoshta edhe disa detaje që kanë shoqëruar vizitën e tij në SHBA. Duke qenë se edhe aktivitetet e Metës në Uashington kanë pasur në qendër probleme të sigurisë, është e logjikshme që të shihet ky ndryshim i beftë i qëndrimeve të qeverisë si një përcjellje e shpejtë e mesazheve edhe më të qartë sesa ato të ambasadorit Whithers. “çdo përmirësim i tij do të jetë sipas standardeve të NATO-s”, rikonfirmoi zëvendëskryeministri. Së pari, ai ka pranuar tërthorazi se drafti aktual qëndron poshtë standardeve të Aleancës, të cilat duhen parë të lidhura me ato nene që u debatuan shumë ashpër së fundmi, si mënyrat e reja të marrjes së informacioneve nga institucionet por edhe kontrolli formal politik. Një pikë që tërheq vëmendjen në këtë drejtim është ajo që ka të bëjë me kushtëzimin juridikisht kategorik që drafti i ri i bën bashkëpunimit të SHISH me shërbimet partnere. Theksimi në të i nevojës për “leje” nga Kryeministri duket të mos jetë një version shumë i pëlqyeshëm nga partnerët e Shqipërisë, që me këtë rast nuk kanë harruar t’i përcjellin zëvendëskryeministrit shqiptar disa instruksione shtesë për standardet në NATO rreth këtij problemi. Në kuptim të situatës së brendshme politike në vend, rishikimi i pozicionit të qeverisë jo vetëm i bën jehonë edhe shqetësimeve të opozitës, por në njëfarë mënyre hap një parantezë të përshtatshme për të rinisur diskutimin parlamentar të përmirësimeve në ligjin ekzistues.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›