Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon Lidhjen e Prizrenit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim që nuk e lejon Komunën e qytetit të Prizrenit që të mbajë në stemën e saj shtëpinë e famshme ku u mbajt Lidhja Kombëtare e Prizrenit, e cila u mblodh më 10 qershor të vitit 1878 për të krijuar njësinë shtetformuese të shqiptarëve që jetonin prej shekullit të 15 nën sundimin otoman. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila kryesohet nga shqiptari Ever Hasani, por që në përbërjen e saj ka edhe përfaqësues të minoriteve dhe ndërkombëtarë, nuk e ka lejuar Komunën e Prizrenit ta mbajë këtë stemë, pasi shkelen parimet kryesore të Kushtetutës së Kosovës për shtet multietnik. Ankesa është bërë nga pakica boshnjake dhe turke dhe më pas është përkrahur nga Gjykata. Por ky vendim ka sjellë kundërshtimin e ashpër të lëvizjes “Vetëvendosja”. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës theksohet se është bërë shkelje e të drejtave të komuniteteve joshumicë në Prizren për të ruajtur, mirëmbajtur dhe promovuar identitetin e tyre. U vendos se neni 7 i Statutit të Komunës së Prizrenit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Urdhëron Komunën e Prizrenit që, brenda një periudhe prej tre muajsh nga dorëzimi i këtij aktgjykimi, të ndryshojë statutin dhe emblemën e saj
në mënyrë që ta sjellë atë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe të mos përjashtojë komunitetet joshumicë”. Ky vendim është komentuar vakët nga politika e Kosovës dhe mediat vendase. Por në qëndrimin e saj, lëvizja “Vetëvendosja”, që drejtohet nga Albin Kurti thekson se “jo vetëm që Plani i Ahtisarit po na shkombëtarizon në këtë mënyrë, por edhe krejt vargu i institucioneve politike e gjyqësore, të ndërtuara sipas konceptit të Planit të Ahtisarit, janë në shërbim të këtij plani antishqiptar e jo në shërbim të vullnetit të popullit shumicë. Plani i Ahtisarit konsideron se në emër të pakicave duhet të sakrifikohet vullneti politik dhe identiteti kombëtar i popullit shumicë. Kjo është qasje krejtësisht e gabueshme dhe me siguri që do të dështojë kurdoherë. Shtet i vërtetë demokratik është vetëm ai shtet që përbrenda vullnetit politik të shumicës, që materializohet në institucionet sovrane të vendit, garantohen të drejtat më të larta politike,kulturore e ekonomike të pakicave. Por kurrsesi ai shtet, korniza politike e të cilit e mbyt vullnetin e shumicës absolute në emër të neutralitetit ndaj të gjithëve, dhe kështu qëllimisht i konfronton artificialisht pakicat me shumicën”.