E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësim për vizat, zhgënjim për krizën

Delegacioni i PE-së

Delegacioni i Eurodeputetëve të Parlamentit Europian, i kryesuar nga drejtuesi i Europës Juglindore, Eduard Kukan, në mbyllje të vizitës dyditore në Shqipëri, arriti në përfundimin se vendi ynë i ka përmbushur kriteret teknike për të përfituar liberalizimin e vizave. Kjo deklaratë erdhi në takimin që delegacioni zhvilloi dje paradite me Kryeministrin Sali Berisha. Drejtori i Europës Juglindore, Kukan, vlerësoi plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit nga qeveria shqiptare, të cilat janë vlerësuar edhe nga misionet e ekspertëve të Bashkimit Europian. Nisur nga kjo, Kukan i shprehu Kryeministrit edhe mbështetjen e plotë të PE-së për të arritur sa më shpejt të ishte e mundur liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Në të njëjtën linjë, në takimin që delegacioni zhvilloi me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, delegacioni u shpreh i impresionuar nga arritjet e mëdha të vendit tonë, për sa u përket kërkesave teknike të ardhura nga Komisioni Europian për çështjen e liberalizimit të vizave. “Jemi të impresionuar nga arritjet e vendit tuaj në plotësimin e detyrimeve teknike, që lidhen me heqjen e vizave. Ajo që pamë në Tiranë, mbi instrumentet teknikë që lidhen me heqjen e vizave ishte shumë impresionuese për të gjithë”, u shpreh drejtuesi i delegacionit Kukan. Më gjatë, për situatën politike në vend, duket se delegacioni bisedoi në takimin që zhvilluan me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, drejtuesi i delegacionit europarlamentar për Europën Juglindore, Kukan, dhe anëtarët e tjerë eurodeputetë vlerësuan lart rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi për realizimin e tryezës politike mes udhëheqësve të mazhorancës dhe opozitës, që prodhoi rifillimin e dialogut politik dhe hyrjen e opozitës në Parlament. Por sipas Kukan, dialogu politik i nisur nuk e zgjidhi krizën në vend dhe për këtë arsye, ai duhet të vazhdojë e të forcohet sa më shumë, duke i dhënë zgjidhje situatës politike të krijuar. Pavarësisht përgëzimeve për procesin teknik që kërkohet për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian, përfaqësuesit e delegacionit të PE-së nuk harruan t’i bënin politikës shqiptare edhe apele të forta për sa i përket nevojës për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar në vend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›