E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas zbulimit të varrezës masive me të ekzekutuar nga regjimi komunist, ish-të përndjekurit politikë këmbëngulin për miratimin e ligjit të “Dosjeve”

“Shoqëria shqiptare duhet të pastrohet nga ata që kanë dhënë vendime vrasëse”Në zonën në periferi të kryeqytetit ku u zbuluan eshtra njerëzish që mendohet të jenë ekzekutuar në kohën e diktaturës, e kanë vizituar edhe përfaqësues të shoqatave të ish të përndjekurve politik. Sipas tyre, ku vend dëshmon qartë arsyet se pse ligji i “lustracionit” duhet të ishte tashmë pjesë e shoqërisë. “Kërkojmë ligjin e “lustracionit”. Duhet të pastrohen qelizat e demokracisë, të pastrohet politika, të pastrohet qeveria, administrata nga këta kriminelë. Duhet të bëhet një muze për të gjithë këta heronj, që janë me mijëra. Kjo është kërkesa jonë, që të pastrohet shoqëria shqiptare nga elementë të tillë. Nuk mund të mbijetojë krimi me vuajtjen, boll kemi duruar deri tani”, u shpreh Lulzim Brahja, një nga përfaqësuesit e shoqatave të të përndjekurve. Dalja në dritë e eshtrave u bë falë iniciativës private të një qytetari nga Tirana, që po kërkonte prej kohësh eshtrat e babait të tij. Zona e malit të Dajtit njihet prej kohësh si një zonë ku janë ekzekutuar edhe shumë njerëz të tjerë në kohën e regjimit komunist. Ndërkohë po këtu, rreth 6 vjet më parë janë zbuluar edhe 7 skelete të tjerë që i përkisnin kohës së sistemit diktatorial.Gjithashtu, zbulimi i varrezës masive pranë Malit të Dajtit pikërisht në kohën kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin për lustracionin ka ngjallur reagimin e ashpër të ish-të përndjekurve politikë në gjithë vendin. Dega e kësaj shoqate në Shkodër, kërkon gjetjen e formave të tjera për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve si dhe zbulimin e të gjitha varreve ku ndodhen eshtrat e të dënuarve padrejtësisht nga regjimi. “I bëhet apel të gjithëve, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që mund të jenë ata vetë që kanë dhënë vendime vrasëse për ata njerëz, të cilët janë pushkatuar me gjyq dhe pa gjyq. Pra, është një mbyllje me turp e tyre, sepse ata punë muajsh janë aty dhe do të zëvendësohen, pasi janë drejt përfundimit mandatet e tyre”, deklaroi Zenel Drangu, kryetar i shoqatës së të përndjekurve në Shkodër.   Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Prefekti i qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi.  Sipas tij, ligji i lustracionit synon vetëm largimin nga politika dhe administrata e lartë, për ata që kanë qenë pjesë e këtyre vendimeve makabër. “Zbulimi i këtij varri koinçidon me rrëzimin e ligjit të lustracionit. Kjo vërtet është një koincidencë, por është një koinçidencë e hidhur. Amendimi i ligjit të lustracionit nuk është gjë tjetër, veçse një ligj që përkohësisht largon nga jeta politike personat që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në dënimin dhe ekzekutimin e këtyre njerëzve të nderuar, por edhe kaq nuk u lejua”, u shpreh Deliallisi. Por varreza e zbuluar pranë malit të Dajtit nuk është e vetmja. Vetëm pak kohë më parë në Qarkun e Elbasanit është zbuluar një tjetër varr masiv në Kodrat e Krastës, vend i njohur për eliminimin e kundërshtarëve të regjimit komunist.   Viktimat e regjimit hoxhist, qeveria ngre Task Force për zbulimin e trupave Vetëm pak ditë pas gjetjes së disa trupave në rrëzë të Malit të Dajtit, të ekzekutuar nga regjimi komunist i shekullit të kaluar, qeveria angazhohet institucionalisht për ngritjen e një grupi të posaçëm pune, për zbulimin e të tjerë varreve masive në pjesë të ndryshme të territorit. Mendohet se ndodhen dhjetëra e qindra trupa të varrosur në zona malore, kryesisht jashtë qendrave të banuara, të cilët janë ekzekutuar barbarisht. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha informoi mediat mbi këtë vendim të rëndësishëm, i cili pritet të miratohet javën e ardhshme. Kreu i qeverisë theksoi se Taske Forca do të merret me kërkimin dhe gjetjen e trupave të burrave dhe grave, intelektualëve dhe punonjësve, qytetarëve të këtij vendi që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist, vetëm sepse besonin te fjala e lirë, te Zoti, tek vendi i tyre, pra në vlera sa hyjnore aq edhe njerëzore.“Dua tu informoj se javën që vjen qeveria do të vendosë ngritjen  e një Task Force, e cila do të merret me kërkimin, gjetjen, e trupave të burrave dhe grave, intelektualëve të këtij vendi, punonjësve që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist, vetëm e vetëm se besonin tek fjala e lirë, tek zoti, tek vendi i tyre, pra ne vlera që janë sa hyjnore aq edhe njerëzore”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha. Shefi i ekzekutivit, kërkoi që Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të përgatisin vendimin që përcakton procedurat e ngritjes së kësaj Taske Force dhe ta sjellin atë në qeveri. Duke qenë se kjo do të jetë një procedurë e përcaktuar shtetërore, kryeministri kërkoi që të gjitha institucionet t’u përgjigjen detyrimeve të tyre.Katër ditë më parë (7 shkurt), në afërsi të komunës Linzë, pranë malit të Dajtit (Tiranë), u zbulua një varr masiv ku u gjetën eshtrat e 19 personave, të cilët janë viktima të krimeve të diktaturës komuniste....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›