SHBA & OSBE: Ngërçi politik të kalohet që në tryezën e së shtunës

Në deklarime të veçanta, përfaqësitë diplomatike të SHBA-së dhe OSBE-së kanë kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të asaj që e quajnë “ngërç politik”, duke mos përmendur për asnjë moment fjalën “krizë”, një terminologji që e ka humbur betejën, qëkur përmendet vend e pa vend nga Edvin Rama Kanë reaguar dje edhe ndërkombëtarët në Tiranë, lidhur me tryezën trepalëshe, Topi-Berisha-Rama, për situatën politike në Shqipëri. Përmes një komunikimi zyrtar, ambasada e SHBA-ve dhe prezenca e OSBE-së Tiranë, inkurajojnë palët politike për zgjidhjen e menjëhershme të ngërçit politik, i interpretuar prej këtyre dy përfaqësive si i panevojshëm dhe njëherazi i tepruar. SHBA dhe OSBE, theksojnë qartë se tejkalimi i këtij momenti jo fort të volitshëm për aspiratat e Shqipërisë, është një kontribut i madh në drejtim të proceseve të integrimit. Në mënyrë indirekte, opozita shigjetohet dhe paralajmërohet që të marrë përsipër risqet e tryezës, për sa kohë çdo zhvillim i kohëve të fundit është diktuar nga vetë ajo, me bojkotimin e punimeve të Kuvendit, tempullit të demokracisë dhe njëherazi paralajmërimet për protesta masive. Në këtë drejtim, ambasada amerikane i ka bërë apel socialistëve dhe demokratëve, që të shfrytëzojnë tryezën e presidentit Topi për të zgjidhur pa vonesë ngërçin politik në vend dhe të përqendrohen tek axhenda euroatlantike e vendit. Në deklaratën zyrtare të ambasadës amerikane, lidhur me tryezën e kreut të shtetit thuhet se SHBA është në mbështetje të kësaj iniciative, e cila edhe pse është në interes të përgjithshëm, qëndrimi nga njëra forcë politike ka qenë tejet tendencioz. “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe Këshillit të Evropës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Ambasada amerikane ka përshëndetur udhëheqjen e Presidentit Topi në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës që do të fillojë më 13 shkurt”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve. Ambasada e SHBA-së thekson më tej se “një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën Euro-Atlantike të Shqipërisë”.Më herët edhe zyra e OSBE-së në vendin tonë doli me një deklaratë ku përshëndeti iniciativën e presidentit dhe përgjigjen pozitive liderit të opozitës e mazhorancës.Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch deklaroi se është një hap përpara për zgjidhjen e situatës. “Përshëndes iniciativën e Presidentit Topi për të ulur në tryezë palët politike. Tryeza është një hap përpara për zgjidhjen e ngërçit politik”, thuhet në deklaratën e ambasadorit.Gjithashtu, ambasadori i OSBE-së ka përshëndetur gatishmërinë e liderëve të PS-së dhe PD-së që të marrin pjesë në një takim që mund të shërbejë për tejkalimin e vështirësive.Ndërkaq, të shtunën në orën 11.00, kreu i PS-së Rama dhe shefi i mazhorancës dhe njëherazi kryeministri Berisha do të ulen në tryezën e Presidentit të Republikës Bamir Topi për të negociuar për zgjidhjen e krizës politike. ...