E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadenca e mandateve në afatet e fundit, tryeza vendimtare për rikthimin e opozitës në parlament

Paralajmëron kryetarja e Kuvendit Jozefina TopalliNë një kohë kur kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja e tryezës së dialogut ndërmjet pozitës dhe opozitës, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i apelon deputetëve të PS që të ndërpresin bojkotin dhe t’i rikthehen parlamentit. Pas një takimi të zhvilluar me homologun e saj të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, u shpreh se më nismën e fundit të Presidentit Topi, bëhet edhe më i mundshëm marrja e vendimit për thyerjen e bojkotit, pasi veç kësaj, tryeza përkon edhe me afrimin e afatit të djegies së mandateve të deputetëve socialistë. “Kam 6 muaj që pres që të ndalet bojkoti. Nëse kjo ndodh para tryezës, gjatë tryezës apo pas tryezës, e rëndësishme është që të ndalet bojkoti dhe të hyjmë në normalitetin e jetës parlamentare dhe politike. Unë jam optimiste. Jemi në afatet e fundit të skadencës së mandatit të çdonjërit prej deputetëve, që ende nuk kanë ardhur për të bërë betimin dhe nuk janë paraqitur në parlament. Unë jam e sigurt se bojkoti do të marrë fund si mjeti më i papërshtatshëm, më pak evropian”, u shpreh kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Siç edhe është konfirmuar afërsisht një muaj më parë, në letrën për deputetët socialistë, kryeparlamentarja vëren edhe njëherë, se seanca e fundit para mbarimit të mandatit është më 4 mars. Dhe e mbështetur nga homologu i Malit të Zi, ku edhe atje ka pasur para pak kohësh një bojkot të parlamentit, kryetarja e kuvendit përsëriti ftesën për deputetët socialistë, duke bërë përgjegjës për bojkotin kreun e socialistëve, Edi Rama.“Përsëris ftesën për çdo deputet, emër për emër, ndërgjegjes së tyre shoqërore dhe politike, ejani në parlament, keni vendin tuaj, keni hapësirën tuaj, bëni detyrën për të cilën ju ka votuar populli. Jam e sigurt se bojkotit po i vjen fundi. Bojkoti ka vetëm një emër dhe emri është i zotit Rama”, deklaroi më tej, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Nga ana e tij, kryetari i parlamentit malazez, Ranko Krivokapiç tha se “opozita duhet të jetë e ndërgjegjshme, për tu kthyer në parlament dhe për të bërë punën e saj. Duhet të përfaqësojë votuesit, të kontribuojë në reformat për liberalizimin e vizave, përndryshe ajo është jashtë loje, duke mos kryer funksionin e saj. Bojkoti është një gabim që i kushton çdo partie politike dhe që duhet mësuar prej tyre. Ata e dinë që duhet ta ndalin bojkotin”, u shpreh ai.Në vijim, të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim se midis Malit të Zi dhe Shqipërisë ekziston  një model bashkëpunimi dhe dialogu i shkëlqyer. Më tej biseda mes dy kryetarëve të parlamenteve u përqendrua në projektet e zhvillimit ekonomik, infrastrukturor, ku veçanërisht u trajtua projekti madhor për liqenin Shkodrës dhe lumin e Bunës, si projekt me interesa të jashtëzakonshme për të dy vendet. Kryetarja e Kuvendit theksoi se prioritet i punës së dy parlamenteve duhet të jetë lobimi për projektet me interes të përbashkët në nivel rajonal.Zv/kryeministri Meta takon kryeparlamentarin Krivokapiç; “Bashkëpunimi mes dy vendeve, model për vendet e tjera të rajonit”/Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në një takim kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.                                                                             Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, mbi bashkëpunimin në kuadër të integrimit të përbashkët evropian si dhe mbi zhvillimet në rajon.Zëvendëskryeministri Meta theksoi se bashkëpunimi midis dy vendeve tona përbën një model të shkëlqyer të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke shtuar se takimet në nivele të larta politike nxisin thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.Gjithashtu, Meta rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe vlerësoi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Malit të Zi, duke shprehur kënaqësinë për arritjen e liberalizimit të vizave me zonën “Schengen”.Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Krivokapiç, theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të mira dhe se ato shërbejnë si një model i vërtetë për vendet e tjera të rajonit.Duke falënderuar për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, Krivokapiç theksoi gatishmërinë e vendit të tij për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencë reciproke në kuadër të integrimit evropian të të dy vendeve.Në fund, Meta dhe Krivokapiç vlerësuan rolin konstruktiv  dhe kontributin e të dy vendeve në bashkëpunimin e suksesshëm rajonal, si dhe shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon.Edhe kryeministri Berisha premton projekte të përbashkëta në infrastrukturë me Malin e Zi/Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç. Të dy personalitetet vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe shprehën bindjen se projektet e përbashkëta infrastrukturore do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të vendeve respektive, si dhe të rajonit në tërësi.Kryeministri Berisha vlerësoi progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke premtuar mbështetje edhe për anëtarësimin në NATO. Kryeministri Berisha theksoi interesin dhe vëmendjen e tij të posaçme në forcimin e Malit të Zi si një shtet i pavarur i suksesshëm dhe me rol të rëndësishëm në rajon.Kryeministri Berisha falënderoi Kryetarin e Parlamentit malazez për rolin shumë të rëndësishëm e pozitiv të Malit të Zi në lidhje me Kosovën, si gjatë luftës, ashtu edhe gjatë procesit të pavarësisë.Nga ana e tij, Ranko Krivokapiç theksoi vlerat e përbashkëta morale dhe humanitare të të dy popujve, të shfaqura gjatë luftës, vendosmërinë e Malit të Zi për t’u distancuar nga politika e pastrimit etnik, të ndjekur në atë lufte, si dhe politikën e stabilitetit dhe paqes, të ndjekur gjatë procesit të pavarësisë së Kosovës, konkretizuar me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe me Kosovën.Gjatë takimit, kryeministri Berisha renditi një sërë projektesh me interes të përbashkët në fushën e turizmit, infrastrukturës, energjetikës, mbrojtjes së mjedisit, etj.Kryeministri përmendi projektin e thellimit të lumit Buna, si një projekt shumë të rëndësishëm për turizmin dhe ambientin. Po ashtu përmirësimin e pikës së përbashkët doganore për lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe shkëmbimit të mallrave. Kryeministri vuri theksin e zhvillimit rajonal nëpërmjet projekteve të përbashkëta, si një moment kyç suksesi. Gjithashtu Kryeministri falënderoi Malin e Zi për ndihmën dhe solidaritetin e treguar gjatë përmbytjeve natyrore në zonën e Shkodrës.Takimi u mbyll me sigurimet e përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.  ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›