Strasburgu i mbyll dyert bojkotit, urdhëron Ramën të kthehet në parlament

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian Libor Roucek, përfaqësues i Partisë Socialiste Evropiane i ka kujtuar kryesocialistit në detyrë se ndërkombëtarët prisnin prej tij që ai të kthehej pa kushte në Parlament e të kontribuonte për reformat që i duhen Shqipërisë. Alibia e Edi Ramës s’ka funksionuar dhe pas shuplakës së re evropiane, pritet një tjetër debat brenda strukturave të PS-sëPolitika bojkotuese e kryesocialistit në detyrë Edvin Rama, ka marrë dje një dush të ftohtë në Strasburg, ku kishte shkuar për të realizuar disa takime të veçanta me euro-socialistë, lidhur me situatën politike në Shqipëri. Zyrtari i lartë, Libor Roucek, Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, i përcolli me vetëdije Edi Ramës, ultimatumin se Shqipëria ka nevojë për alternativa konstruktive politike, ndërsa shtuan se bojkoti i parlamentit nuk mbështetet, në çfarë do lloj forme qoftë ai. Kësisoj, dështon në mënyrë spektakolare vizita e kryebojkotuesit, në një vend të qytetëruar perëndimor dhe me demokraci solide, ku edhe janë ngritur themelet e funksionalitetit të institucioneve të Bashkimit Evropian. Rama shkoi në Strasburg me trastën e bojkotit, por kurrfarë argumentesh të besueshme nuk përcolli, veç refrenit se i kanë përvetësuar votat dhe se për këtë kërkonte në mënyrë ilegjitime hapjen e kutive. Mësohet se Rama u ka komunikuar më herët socialistëve evropianë se ka dokumente të besueshme që faktojnë padrejtësitë në zgjedhjet e përgjithshme, por në momentin që i është kërkuar t’i bëjë transparente ato, kryesocialisti ka vënë në zbatim format e vjetra manipuluese, për të mos nxjerrë të vërtetën, pra atë se nuk ka asnjë dokument që hedh dritë mbi ato pretendime të ngritura muaj më parë. Në këtë drejtim, politika bojkotuese e Edi Ramës është shkelur jo vetëm në Bruksel, por tashmë edhe në Strasburg, aty ku ai shpresonte sado pak kapital politik, për të vënë në jetë synimet ogurzeza, për destabilizimin total të vendit. Gjatë takimit të zhvilluar me Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian Libor Roucek, ky i fundit i urdhëroi Edvinit të shkojë në tryezën e dialogut dhe nëse është i gatshëm të propozojë në parlament ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në asnjë përgjigje të Roucek, euro-deputet i socialdemokratëve çekë, nuk mbështetet hapja e kutive, përveç hetimit të limituar të zgjedhjeve, madje edhe kjo e fundit, duke respektuar kuadrin ligjor. Zyrtari i lartë çek, u shpreh gjithashtu edhe kundër protestave, në një kohë kur Shqipëria po përgatitet për sfidat e integrimit në BE. Aventura e kryesocialistit në detyrë, ka marrë fund. Ai rikthehet në Shqipëri, por s’dihet nëse, pas këtij shpërfytyrimi, do të marrë pjesë në tryezën e dialogut, pasi tashmë gjithçka është vendosur, pas këtij momenti, grupi parlamentar socialist, hyn në Kuvend, më 4 mars. Përfaqësues të së majtës në institucionet ndërkombëtare, më se një herë kanë shfaqur rezerva për bojkotin e socialistëve shqiptarë si mjet demokratik. Në këtë kontekst, edhe qëndrimi i fundit i Zëvendëspresidentit Libor Roucek, është një konfirmim i qëndrimit të tij të para disa ditëve, në takimin që ai pati edhe me deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS. Disa ditë më parë në Bruksel ishin kundërshtarët e bojkotit, Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani, të cilët në takimin me Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Libor Roucek, morën të njëjtin mesazh për të hyrë në Parlament.“Do të dëshiroja që vendimi të merrej nga e gjithë partia para mbarimit të afatit, që do të thotë para marsit. Mesazhi im është që duhet rikonsideruar situata, jo vetëm në Shqipëri, por ka një rregull të përgjithshëm. Bojkotimi i Parlamentit nuk të çon gjëkundi”, u shpreh Roucek, në takimin me tre deputetët socialistë. Numri dy i Parlamentit Europian, në takimin me deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, përçoi edhe mesazhin shqiptarëve se, më e rëndësishme se çështja që ngre opozita është puna e përbashkët për të mirën e vendit. "Sistemi politik në Shqipëri të jetë më i bashkuar, kjo do të thotë që forcat kryesore politike të bien dakord për një strategji të përbashkët për të mirën e popullit shqiptar. Të përqendrohen tek prioritetet, ku kryesori është integrimi evropian", theksoi disa ditë më parë, në takimin me Blushin, Harasanin dhe Islamin, Zëvendëspresidenti i Parlamentit Libor Roucek....