Poni: Deri në fund të 2010-ës, 1 milionë qytetarë pajisen me pasaportat e reja biometrike

Zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni, në ndjekje të vazhdueshme të procesit të rëndësishëm të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike, deklaron se deri në fund të 2010-ës, Shqipëria tejkalon çdo parashikim për prodhimin e dokumenteve të reja. Sipas tij, numri i prodhimit të pasaportave të reja biometrike në ditë do të rritet nga 2500 që është aktualisht në mbi 3000 të tilla. Poni tha se edhe gjatë vitit 2010 procesi i pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike parashikohet të ecë me ritme të shpejta. “Soliditeti dhe intensiteti i procesit është shoqëruar me rritje të tjera në fillim të 2010-ës. Besoj që do të shkohet me një mesatare të lartë në prodhim. Ndoshta ne mendonim për 2000-2500, por do të kemi edhe 3000 pasaporta të prodhuara për ditë, që është një ritëm jashtëzakonisht i lartë dhe që do ta çojë numrin e pasaportave të prodhuara deri në fund të vitit në kufijtë e mbi 800-900 mijë, por nuk përjashtohet që kjo shifër të kapërcehet”- u shpreh zv/ministri Poni. Sipas tij, zhvleftësimi fizik i pasaportave të mëparshme, merr rëndësi edhe për faktin se Shqipëria synon të liberalizojë lëvizjes e qytetarëve me vendet e Bashkimit Evropian, prandaj nuk duhet të ketë qytetarë që qoftë edhe fizikisht të kenë më shumë se një pasaportë të vlefshme. “Pajisja masive me dokumentet e sigurisë, integriteti është shumë i madh i sistemit. Sikurse ju thash, që përbën një kusht teorik shumë të fuqishëm për liberalizimin, por përbën edhe një demonstrim të hapur të vullnetit të shqiptarëve, për tu pajisur me teknologjitë më të larta, më shumë akoma për të qenë pjesë integrale e hapësirës evropiane”, deklaroi ai. Zoti Poni vuri në dukje se në të gjithë vendin funksionojnë mbi 200 zyra aplikimi të vendosura në qendrat me mbi 10 000 mijë banorë dhe 31 stacione për tërheqjen e pasaportave biometrike të vendosura pranë komisariateve të policisë. ...