Strasburgu, ultimatum Edvinit: Opozita të rikthehet menjëherë në parlament

Politika bojkotuese e kryesocialistit në detyrë Edvin Rama, ka marrë sot një dush të ftohtë në Strasburg, ku kishte shkuar për të realizuar disa takime të veçanta me euro-socialistë, lidhur me situatën politike në Shqipëri. Zyrtarët e lartë të Parlamentit Evropian, kanë përcjellë me vetëdije se Shqipëria ka nevojë për alternativa konstruktive politike, ndërsa shtuan se bojkoti i parlamentit nuk mbështetet, në çfarë do lloj forme qoftë ai. Kësisoj, dështon në mënyrë spektakolare vizita e kryebojkotuesit, në një vend të qytetëruar perëndimor dhe me demokraci solide, ku edhe janë ngritur themelet e funksionalitetit të institucioneve të Bashkimit Evropian. Rama shkoi në Strasburg me trastën e bojkotit, por kurrfarë argumentesh të besueshme nuk përcolli, veç refrenit se i kanë përvetësuar votat dhe se për këtë kërkonte hapjen e kutive. Mësohet se Rama u ka komunikuar më herët socialistëve evropianë se ka dokumente të besueshme që faktojnë padrejtësitë në zgjedhjet e përgjithshme, por në momentin që i është kërkuar t’i bëjë transparente ato, kryesocialisti ka vënë në zbatim format e vjetra manipuluese, për të mos nxjerrë të vërtetën, pra atë se nuk ka asnjë dokument që hedh dritë mbi ato pretendime të ngritura muaj më parë. Në këtë drejtim, politika bojkotuese e Edi Ramës është shkelur jo vetëm në Bruksel, por tashmë edhe në Strasburg, aty ku ai shpresonte sado pak kapital politik, për të vënë në jetë synimet ogurzeza, për destabilizimin total të vendit. Gjatë takimit të zhvilluar me zv/presidentin e Parlamentit Evropian Libor Rouçek, ky i fundit i këshilloi Edvinit të shkojë në tryezën e dialogut dhe nëse është i gatshëm të propozojë në parlament ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në asnjë përgjigje të z.Rouçek, euro-deputet i socialdemokratëve çekë, nuk mbështetet hapja e kutive, përveç hetimit të limituar të zgjedhjeve, madje edhe kjo e fundit, duke respektuar kuadrin ligjor. Zyrtari i lartë çek, u shpreh gjithashtu edhe kundër protestave, në një kohë kur Shqipëria po përgatitet për sfidat e integrimit në BE. Aventura e kryesocialistit në detyrë, ka marrë fund. Ai rikthehet në Shqipëri, por s’dihet nëse, pas këtij shpërfytyrimi, do të marrë pjesë në tryezën e dialogut, pasi tashmë gjithçka është vendosur, pas këtij momenti, grupi parlamentar socialist, hyn në Kuvend, më 4 mars. ...