“Pasaporta e Shkupit në BE, emri i përbërë”
Greqia e ka përshëndetur vendimin e Presidentit të sapo-zgjedhur maqedonas, për të zgjidhur çështjen e emrit, por kryeministri grek ka kujtuar se pasaporta e Maqedonisë për anëtarësimin në strukturat euro-atlantike, do të jetë një emër i përbërë, me referencë gjeografike, që do të përdoret kundrejt të gjithëve dhe jo vetëm në marrëdhëniet me Greqinë. Duke folur edhe si maqedonas, meqë e ka origjinën nga ai rajon, Kryeministri grek, Karamanlis, ka shfrytëzuar rastin t’u drejtojë një mesazh të ri fqinjëve në anën tjetër të kufirit dhe t’u kujtojë se rruga e anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike kalon nga gjetja e zgjidhjes në mosmarrëveshjen për çështjen e emrit. “Përgjegjësia për pasaportën në BE dhe NATO i përket Shkupit”, shtoi Kryeministri grek.