Pritë në lokal, vritet biznesmeni
PESHKOPI/ HASAN PASHA
Tronditet qyteti i Peshkopisë nga të shtënat e një automatiku, viktimë e së cilës mbeti një biznesmen. Reshat Rustani u ekzekutua herët në mëngjes në momentin, që ai po ngrinte qepenat e biznesit të tij, një dyqan me pajisje elektro-shtëpiake. Autori i krimit sipas policisë është 58-vjeçari Qemal Kaci. Ky i fundit i kishte zënë pritë viktimës dhe rreth orës 08:00, kur ai do të hapte dyqanin e tij e ka vrarë me një armë automatike. Ngjarja ndodhi në mes të qytetit të Peshkopisë, në sheshin "Gjok Doçi. Mësohet se 55-vjeçari Rustani ishte kandidat për deputet. Ai kishte kërkuar votat e dibranëve nën siglën e Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar. Madje, pak ditë më parë në ballinën e lokalit, pak metra larg godinës së Prefekturës, i ndjeri Rustani kishte vendosur dhe sloganin me foton e tij për zgjedhjet e 28 qershorit.
Policisë së Peshkopisë nuk i është dashur shumë kohë, që të gjendet në vendin e ngjarjes për shkak se ajo ndodhi në qendër të qytetit. Të shtënat e armës kanë tërhequr vëmendjen e tyre e më pas ata kanë nxituar drejt vendit nga ato u dëgjuan.
Fillimisht, punonjës të një patrulle të policisë dhe pak minuta më vonë dhe efektivë të komisariatit të Dibrës janë vënë në lëvizje, në drejtim nga vinin krismat. Blutë gjetën Reshat Rustanin pa jetë në mes të një pellgu me gjak, para derës së dyqanit të tij. Pak metra më larg, shumë njerëz të terrorizuar nga krismat dhe pamja që kishin para. Ata kishin tentuar të nxitonin për t'i dhënë ndihmën e parë, por plumbat kishin qenë fatale për viktimën. Sipas policisë, 55-vjeçari kishte marrë katër plumba në trup, të cilat i kishin prekur edhe organet jetësore. Për pasojë ai kishte gjetur vdekjen e menjëhershme. Pasi konstatuan se viktima kishte ndërruar jetë, blutë kryen veprimet procedurale në vend e më pas trupin e tij e çuan në morgun e qytetit. Policia u vu në kërkim të autorit, i cili u identifikua vetëm pak minuta pas ngjarjes. Lëvizja e shpejtë e policisë bëri të mundur kapjen në flagrancë të Qemal Kacit. Por ndërhyrja për arrestimin e tij është kryer në mënyrë të kujdesshme, pasi personi që kishte kryer një vrasje vijonte të ishte me armë në dorë. Blutë arritën t'i vinin atij prangat pa precipituar me viktima të tjera. Sipas policisë, ai ka pranuar autorësinë, duke u shprehur se viktimën e kishte vrarë për nder. Në sajë të hetimeve paraprake, viktima dhe autori kishin pasur një "konflikt të vjetër", disa ditë më parë. Por për këtë konflikt nuk ishte marrë ndonjë masë parandaluese nga ana e policisë për të shmangur tragjedinë. Sipas burimeve të policisë, Kaci e akuzonte shokun e tij se kishte nxjerrë llafe nëpër qytet për ish-gruan e tij në periudhën kur ajo jetonte në Greqi. Kaq ka mjaftuar që dy shokët e vjetër të konfliktoheshin, duke përfunduar deri në vrasje mes tyre. Policia bllokoi edhe armën automatike e modelit 56 si dhe një sasi fishekësh. Mësohet se autori me profesion mekanik, është një familje e varfër dhe jeton në periferi të qytetit të Peshkopisë. Qemal Kaci është baba i katër fëmijëve dhe trajtohej nga bashkia me ndihmë ekonomike. Policia shoqëroi disa persona që janë ndodhur në momentin e ngjarjes pak metra më larg. Ata kanë shpjeguar momentin kur Kaci ishte afruar me kallash në dorë dhe kishte qëlluar ndaj viktimës, kur ai po hapte ambientet e biznesit të tij. Viktima në momentin e vrasjes ka qenë i vetëm, ndërsa ka dyshime se autori e kishte pritur atë në mes të qytetit i armatosur.
I arrestuari Kaci: E vrava shokun për nder
Arrestimi i Qemal Kacit vuri dje në vështirësi edhe policinë e Peshkopisë. Autori me armë në dorë ndodhej në kushtet e një depresioni të rëndë, çka detyroi blutë të negocionin dhe të vepronin me kujdes, deri në momentin e prangosjes së tij. "Në ato momente nuk ishte e lehtë t'i afroheshim një njeriu, që sapo kishte kryer një vrasje në qendër të qytetit", u shprehën punonjës të policisë, pjesëmarrës në aksionin për kapjen e tij. Sipas tyre, autorit të dyshuar të vrasjes i është bërë thirrje të ndalej duke vrojtuar me kujdes çdo lëvizje të tij, për të evituar ndonjë ngjarje tjetër të mundshme kriminale. Kjo për shkak se në ato momente gjendja psikologjike e autorit ishte e rënduar dhe ngjarja mund të precipitonte me të tjerë viktima. Por për fat të mirë, 58-vjeçari nuk tentoi t'i bënte rezistencë rrethimit të policisë, duke u dorëzuar para tyre. Policia hodhi dyshime për gjendjen mendore të së arrestuarit. Ai edhe pas kapjes mësohet se bërtiste "Më lini ta vras Reshat Rustanin". Disa momente pas arrestimit, 58-vjeçari rrëfeu se ngjarjen e kishte kryer, pasi autori "kishte folur lart e poshtë për ish-gruan e tij". Sipas tij, ai nuk mund ta lejonte shokun e tij ta përgojonte aq më tepër kur bëhej fjalë për nder.