Pasaportat biometrike, skandali, zyrtarët “pastronin” kriminelët

Një skandal me pasaportat biometrike ka shpërthyer në Korçë. Punonjësit e kompanisë "Aleat" pastronin të dhënat e të kërkuarve në dokumentat e reja të konsideruara si më të sigurtat në vend. Zyrtarët dhe një pedagog i Universitetit "Fan Noli" në Korçë pastronin cenet e të kërkuarve në të dhënat e tyre në pasaportë, në këmbim të shumave të mëdha të parave.
Katër persona janë vendosur në prangat e policisë së Korcës pasi kryenin ndryshimin e gjeneraliteteve të personave që kishin probleme me ligjin në shtetet të ndryshme të Europës. Dy punonjësit e kompanisë "Aleat", Relis Mullai 27 vjeç dhe Armand Cenolli 20 vjeç, prej disa kohësh përdornin pozicionin e tyre të punës për të ndërhyrë në të dhënat e shtetasve të ndryshëm, të cilët aplikonin për të nxjerrë pasaportat biometrike.
Së bashku me dy të rinjtë në pranga janë vendosur edhe pedagogu i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin "Fan Noli" Sytki Mullai, 56-vjeçar, i cili ishte ndërmjetës për shkëmbimin e sasive të lekëve që u merreshin këtyre personave dhe Artur Feto 35 vjeç. Feto ishte personi, i cili luante rolin e "sekserit " për gjetjen e atyre të cilët interesoheshin për të marrë pasaporta biometrike me gjeneralitete të ndryshuara, kundrejt shumave 5000 -7000 euro.